“Deklaroni pasurinë brenda 48 orësh”, Dritan Dajtin dhe Xhevdet Troplini në shënjestrën e OFL
Operacioni “Forca e Ligjit” vijon me shënjestrimin e eksponentëve kriminalë të dënuar më parë për vepra të rënda penale duke u dërguar formularin për të deklaruar pasurinë.
Dritan Dajti, me banim në Tiranë i dënuar për vrasje dhe disa vepra të tjera penale i është dërguar formulari për deklarim të pasurisë së tij.
Po ashtu edhe Xhevdet Troplini, me banim në Durrës i dënuar për trafik të lëndëve narkotike duhet të deklarojë pasurinë brenda 48 orësh.
NJOFTIMI NGA POLICIA
OFL, 12 shkurt 2020
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
– D. D., me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”;
– Xh. T, me banim në Durrës, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.