FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Dekretohet shkishërimi i ipeshkvore të lefebvrianëve, dokumenti cilëson si një “akt me natyrë skizmatike”

Pas shugurimeve të djeshme, me një dekret të Dikasterit për Doktrinën e Fesë shpallet zyrtarisht ndërprerja e bashkimit kishtar të Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X me Kishën Katolike.. Një dokument i nënshkruar nga kardinali prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë e cilëson si një “akt me natyrë skizmatike” ritin e kremtuar më 1 korrik. Në një njoftim shpjegues jepen hollësitë e këtij sanksioni të rëndë kanonik kishtar.

Ipeshkvijtë e Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, Alfonso de Galarreta dhe Bernard Fellay (përkatësisht shuguruesi kryesor dhe bashkëshuguruesi), si edhe ipeshkvijtë e saposhuguruar Pascal Schreiber, Michael Goldade, Michel Poinsinet de Sivry dhe Marc Hanappier, kanë rënë “ipso facto” në shkishërimin “latae sententiae”, të rezervuar për Selinë Apostolike, pasi kanë kryer “një akt me natyrë skizmatike”, domethënë “shugurimin ipeshkvor të katër meshtarëve, pa mandat papnor dhe kundër vullnetit të Papës”. Kështu thuhet në dekretin e nënshkruar nga kardinali Víctor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, dhe të kundërnënshkruar nga dy sekretarët e të njëjtit Dikaster. Ky është përfundimi, fatkeqësisht i paralajmëruar, që vjen njëzet e katër orë pas ceremonisë solemne të kremtuar në Écône të Zvicrës, në mëngjesin e 1 korrikut 2026.

Dekreti i shkishërimit dhe shënimi shpjegues i Dikasterit për Doktrinën e Fesë

Dekreti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë përcakton se, me vetë aktin e kryerjes së shugurimit, si shuguruesit ashtu edhe të shuguruarit kanë rënë në shkishërimin e parashikuar. Ky është përfundimi i dhimbshëm, pasojë e vendimit të marrë nga lefebvrianët kundër vullnetit të shprehur në mënyrë të përsëritur nga Leoni XIV. Shkishërimi i rikthen në ndarje nga Kisha e Romës si ipeshkvijtë, ashtu edhe meshtarët që i përkasin Vëllazërisë së Shën Piut X. Sa u përket besimtarëve laikë, konsiderohen të shkishëruar ata që i bashkohen zyrtarisht Vëllazërisë. Hollësi të mëtejshme përmbahen në një “Njoftim shpjegues”, të botuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesënjëkohësisht me dekretin e shkishërimit, të cilin e sjellim më poshtë të plotë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shënimi i Dikasterit

Që nga koha e Shën Palit VI e deri te bisedimet e fundit, të zhvilluara së fundmi pranë këtij Dikasteri, përpjekjet e shumta për t’i rikthyer në bashkimin e plotë me Kishën Katolike ata që i përkasin lëvizjes së nisur nga Imzot Marcel Lefebvre kanë rezultuar të kota. Kjo situatë është rënduar edhe më tej për shkak të shugurimeve të fundit ipeshkvore, të kremtuara pa mandat papnor dhe kundër vullnetit të Atit të Shenjtë, në shkelje të hapur të së drejtës kanonike. Prandaj, ky Dikaster, në ushtrimin besnik të detyrave që i janë besuar, e konsideron të nevojshme të konstatojë se ky akt përbën deliktin e skizmës, me pasojat kanonike për shërbyesit e shenjtë dhe për besimtarët laikë të përfshirë. Në të vërtetë, siç është deklaruar tashmë në vitin 1988, “kjo mosbindje – që sjell me vete një refuzim praktik të Primatit të Romës – përbën një akt skizmatik” (krh. Gjon Pali II, Letra apostolike Ecclesia Dei, nr. 3).

Swiss Digital Mobile Reklama

Për këtë arsye, nga tani e tutje:

  1. Shërbyesit e shenjtë që i përkasin Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X janë në skizmë dhe, për këtë arsye, duhet të konsiderohen skizmatikë (krh. Ecclesia Dei, 5 c; Këshilli Papnor për Tekstet Legjislative, Shënim shpjegues mbi shkishërimin për skizmë që rëndon mbi ata që i bashkohen lëvizjes së Ipeshkvit Marcel Lefebvre, 24.08.1996, 5–6), duke iu nënshtruar kështu shkishërimit të parashikuar nga e drejta kanonike (kan. 1364 § 1 KDK).
  2. Sa u përket besimtarëve laikë, duhen konsideruar skizmatikë dhe të shkishëruar ata që i bashkohen zyrtarisht Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, sipas kushteve të përcaktuara në Shënimin shpjegues të Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative të vitit 1996 (krh. po aty, nr. 7), i cili mbetet ende në fuqi dhe të cilin ky Dikaster e bën të vetin.
  3. Së fundi, Populli i Shenjtë i Zotit vihet në dijeni se shërbyesit e shenjtë të Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X i administrojnë në mënyrë të paligjshme sakramentet dhe se sakramenti i pendesës i administruar prej tyre, si edhe martesa e asistuar prej tyre, janë të pavlefshme.

Kisha, si nënë e kujdesshme, do t’i mirëpresë me dashuri të sinqertë dhe me kujdes të veçantë të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen në bashkimin e plotë. Nuncët Apostolikë do të përcaktojnë procedurat që Ipeshkvijtë Ordinarë do të mund të përdorin në raste të ndryshme.

Së fundi, të gjithë besimtarët nxiten të qëndrojnë të palëkundur në bashkim me Papën e Romës, me ipeshkvijtë në bashkim me të dhe me mbarë Kishën (krh. Lumen Gentium, 22; kan. 751 KDK), si edhe të përmbahen nga pjesëmarrja në kremtime dhe veprimtari të organizuara nga Vëllazëria Meshtarake e sipërpërmendur e Shën Piut X.

 

Vatican News

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?