Dekriminalizimi, kandidatët e PD detyrohen të plotësojnë formularin

Partia Demokratike angazhohet për të përfshirë në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit kandidatë për kryetarë bashkie, të cilët janë pa të shkuar kriminale dhe kanë integritet.

Të gjithë kandidatëve të propozuar nga degët e PD-së në rrethe i janë shpërndarë formularët që duhet të plotësojnë përpara se Kryesia e PD në qendër të vendosë për njërin prej tyre, sipas bashkive ku janë propozuar.

Në bazë të udhëzimit të kryetarit të Partisë Demokratike, kandidatët që plotësojnë formularin për këtë garë duhet të deklarojnë gjendjen e tyre gjyqësore, ku duhet të shprehen nëse janë të dënuar me një proces gjyqësor apo të padënuar.

Përmes këtij formulari selia blu parashikon të përjashtojë nga kjo garë persona që kanë të shkuar kriminale.

Kreu demokrat Lulzim Basha ka njoftuar ngritjen e Komisionit të Integritetit për kandidaturat të cilët do të verifikojnë të gjithë individët që kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e kësaj gare e që tashmë kanë ardhur si propozime të kryesive të degëve të PD në rrethe.

SHKARKO APP