Del autopsia e vrasjes së Kevin Muharremit në Itali, çfarë u zbulua

Autopsia për vrasjen e 25-vjeçarit Kevin Muharremi, i cili humbi jetën në një natë të përgjakshme të Shën Valentinit në Itali, ka nxjerrë detaje të reja mbi dinamikën e krimit.

Sipas raportimit të mediave të huaja, Muharremi është goditur nga më shumë se një plumb, të qëlluar me armë zjarri tip Beretta 7.65. Një nga plumbat rezulton të ketë qenë fatal, pasi e ka goditur në zonën e qafës, ku është gjetur edhe predha.

Ekspertiza përfundimtare, e cila pritet të dorëzohet brenda 60 ditëve, do të përcaktojë saktësisht se cila prej plagëve ka shkaktuar vdekjen, si dhe do të japë elemente të rëndësishme për rindërtimin e plotë të ngjarjes.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ngjarja tragjike ndodhi pas një përplasjeje mes dy grupeve të rinjsh, që nisi në një pub në Montopoli dhe përfundoi me të shtëna armësh në Montecalvoli. Konflikti kaloi në disa faza, duke përshkallëzuar nga debat verbal në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për vrasjen është arrestuar 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, i cili ndodhet në paraburgim dhe akuzohet si autor i krimit. Gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria dhe policia gjyqësore, ai ka pranuar se ka qëlluar ndaj viktimës, ndërsa ka dhënë edhe versionin e tij mbi ngjarjen.

Sipas dëshmisë së tij, gjithçka nisi nga një konflikt i mëparshëm mes grupeve, i cili u përshkallëzua deri në momentin fatal. Ai dyshohet se ka qëlluar ndërsa drejtonte një automjet tip Range Rover Evoque, me të cilin u ndalua nga policia pak orë pas ngjarjes.

Ndërkohë, një 18-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë për bashkëpunim në vrasje. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni që shoku i tij ishte i armatosur dhe ka mohuar çdo përfshirje në krim.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?