Delegacioni i Komisionit të Venecias takim me autoritetet e larta

 

Delegacioni i Komisionit të Venecias, që ndodhet në Tiranë për një vizitë dyditore, ka nisur të hënën axhendën e takimeve me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se pas këtij takimi, rreth orës 10:00 ekspertët e Venecias do të priten në kryesinë e Kuvendit nga kryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, ndërsa reth orës 10:45 do të takohen me ekspertët e nivelit të lartë.

Burimet njoftojnë se rreth orës 15:10 delegacioni i Komisionit të Venecias do të pritet nga ministri i drejtësisë Nasip Naço, ndërsa në orën 19:30 nga kryeministri Edi Rama.
Vizita e ekspertëve të Venecias vjen një javë pasi ky Komision mori në shqyrtim paketën e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar për reformën në drejtësi.

Komisioni i Venecias, një organ i specializuar i Këshillit të Europës në fushën e legjislacionit, pritet të japë një opinion për propozimet brenda muajit dhjetor.

Po ashtu, Komisioni do të vlerësojë dhe një numër amendamentesh të dërguara nga Partia Demokratike e opozites, por dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pjesë e koalicionit të majtë qeverisës. Realizimi i reformës në Drejtësi konsiderohet një moment kyç për ecurinë e vendit në procesin e integrimit dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. 

SHKARKO APP