Demiraj: Kërkohet një ndryshim i thellë i politikës shqiptare, PS mban përgjegjësi për 13 vitet në pushtet
Koloneli Dritan Demiraj ka kërkuar një reformim të thellë të klasës politike shqiptare, duke deklaruar se situata aktuale në vend është pasojë e qeverisjes së gjatë të Partisë Socialiste. Për të nuk mund të vendoset në të njëjtin nivel Partia Demokratike me Partinë Socialiste, pasi sipas tij, kjo e fundit ka drejtuar vendin prej 13 vitesh dhe mban përgjegjësinë kryesore për zhvillimet e fundit.
Ai u shpreh se protestat e fundit janë një reagim i qytetarëve dhe i të rinjve shqiptarë, pavarësisht bindjeve politike, ndaj pakënaqësive të krijuara ndër vite. Megjithatë, Demiraj pranoi se edhe Partia Demokratike ka përgjegjësi për periudhat kur ka qenë në pushtet. Sipas tij, opozita ka ngritur prej kohësh shumë prej problematikave që sot janë në qendër të debatit publik.
”Është e pamoralshme të krahasosh Partinë Socialiste me Partinë Demokratike për të vetmen arsye sepse prej 13 vitesh Partia Socialiste është në pushtet dhe arroganca dhe shkelja në mënyrë të vazhdueshme e ligjeve, apo e kërkesave të qytetarëve edhe e Partisë Demokratike është e papranueshme dhe ka dhe për rrjedhojë ka sjellë këtë qasje, këtë provokim të këtyre protestave.
Së dyti, dhe Partia Demokratike ka përgjegjësitë e veta, sepse përgjatë këtyre 36 viteve ka pasur vitet e saj në drejtim. Por një pjesë e madhe e të gjithë këtyre problematikave janë problematika të cilat në mënyrë të vazhdueshme, të përditshme janë denoncuar nga Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar. Sigurisht që dhe një pjesë e madhe e njerëzve që janë bashkuar protestave, një pjesë e qenësishme, e cila nuk mund të neglizhohet dhe të injorohet janë mbështetës të Partisë Demokratike”,-tha në ”A2cnn”.
KOHA JONË SONDAZH

