Demiraj: “Mini-shengeni”, një truk Ballkanik për t’ia hedhur shqiptarëve kudo
Dritan Demiraj, ish-ministër i Brendshëm, thotë se “Mini-Shengeni Ballkanik”, eshte një truk Ballkanik për t’ia hedhur popullit shqiptar dhe shqiptarëve kudo.
Reagimi i Demirajt
“Mini-Shengeni Ballkanik”, Durrës 1912- Durrës 21 dhjetor 2019.
Terminologjia mini-shengen Ballkanik ishte një truk Ballkanik për t’ia hedhur popullit shqiptar dhe shqiptarëve në të gjitha hapësirat Ballkanike.
Në gjykimin tim është për tu përshëndetur vendimi i Presidentit të Kosovës z. Thaci, Kryeministrit në detyrë z. Haradinaj dhe Kryeministrit të zgjedhur z. Albin Kurti kundër çdo përpjekje për krijimin e Jugosllavisë së re. Padyshim që kjo nismë që mbështetet vetëm nga antishqiptarët, nuk është nismë rajonale por është nismë serbe. Çdo nismë ku nuk është prezente Republika e Kosovës, është nismë anti-shqiptare dhe nuk i shërben bashkëkombasve tanë.
Kjo nismë është në vazhdën e nismave të kaluara të Presidentit Vuçiç (ish ministrit të kasapit të Ballkanit Milosheviç) propozimi i së cilës është shprehur që në vitin 2016, ku ai shprehte hapur rikrijimin e Jugosllavinë e vjetër, plus Republikën e Shqipërisë.
Kjo nisëm është një “armë” e vyer në duart e politikanëve sllavë për të vënë në zbatim projekte strategjike “pushtuese” të kamufluara pa përdorimin e forcës! Prandaj, nuk duhet të befasohemi për “Mini-Shengenin” e Ram-ziut dhe serbomadhit Vuçiç, ku shpaloset dhe harta e Jovan Cvijiçit (1865-1927), gjeograf serb i cili propagandonte se me vendimet e Kongresit të Berlinit, “Serbia është një vend i rrethuar dhe se ajo patjetër duhet të dalë në det (Durrës) për të fituar pavarësinë”.
Paradoksi është se këto plane po tenton t’i realizojë Vuçiçi nëpërmjet “patriotit” të kazanit propagandistik rilindas nesër në Durrës. Ky “pseudo patriot poturaxhi”, atletexhi, megaloman, karagjoz dhe shakaxhi shqipfolës, i pabesë, që si gramofon i prishur përsëriste në takimin e Ohrit me koshiencë tezat e akademikëve serb në vite, duket se po vazhdon të integrojë Shqipërinë në “Neo-Jugosllavi”!
E kam thënë dhe në shkrime të tjera se një projekt i tillë është më shumë se një dinakëri e Serbisë dhe e Vuçiçit për të provuar që përmes kësaj metode të butë (soft power), Republikën e Kosovës ta fusë nën kopetencat dhe urdhërat e veta, e kamufluar në një llogjikë komerciale të tregjeve, ku pas fshihen investimet shumë dimensionale Ruse dhe Kineze.
I them Ramës dhe të gjithë atyre që e mbështesin këtë tradhti kombëtare, që të gjithë shqiptarët që jetojmë në SHBA (nuk flas në emër të atyre që ke emëruar që të përfaqësojnë diasporën dhe që nuk kanë asnjë lidhje me përfaqësimin e Shqiptarëve në diasporë, të larguar nga krimet makabre të komunizmit dhe nga keq narkoqeverisja e Ramziut) do të bëjmë ç’është e mundur që të prezantojmë në administratën amerikane rreziqet dhe kërcënimet dhe ta pengojmë realizimin e kësaj nisme anti-shqiptare, e cila në fakt është edhe anti-amerikane.
Ëndrra e vetme e Shqiptarëve është integrimi në Bashkimin European, përfaqësimi i popullit në parlament dhe në qeveri nga njerëz të ndershën dhe me dinjitet, zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, zbatimi i ligjit, largimi dhe përballja me drejtësinë i qeveritarëve të korruptuar.