Denoncimi me fermerët, procedohen Salianji dhe zyrtarët e PD në Divjakë

Policia nuk ndalet me protestuesit. Procedohen edhe tre zyrtarë të Partisë Demokratike, mes tyre dhe ish-deputeti Ervin Salianji. Ata akuzohen se “Organizuan grumbullime të paligjshme në kundërshtim me masat e nxjerra nga organet shtetërore në gjendjen aktuale të epidemisë COVID-19”.

Burime zyrtare nga Policia e Lushnjës bëjnë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë proceduan penalisht shtetasit:

-Ervin Salianji, 32 vjeç, banues në Tiranë, sekretar i Burimeve Njerëzore pranë Partisë Demokratike;
-Marjus Seitaj, 31 vjeç, banues në Berat, këshilltar pranë Partisë Demokratike;
-Julian Gjini, 40 vjeç, banues në Divjakë, kryetar i Partisë Demokratike, dega Divjakë;

-E. H., 39 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;
-R. H., 33 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;
-A. J., 50 vjeç, banues në Divjakë, fermer;

Sipas policisë, “ditën e djeshme, shtetasit E. S., M. S. dhe J. Gj., në rolin e organizatorëve, kanë shkuar pranë pikës së grumbullimit të perimeve në fshatin Mizë, Divjakë dhe kanë grumbulluar fermerë dhe banorë të zonës, duke mos zbatuar Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 i ndryshuar, si dhe ndryshimet e Kodit Penal të nxjerra nga organet shtetërore në gjëndjen aktuale të epidemisë COVID-19.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, të cilët po hetohen në gjendje të lirë”.

Kujtojmë se dje, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji zhvilloi një takim me disa fermerë në Lushnjë, të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre, ndërsa akuzojnë qeverinë se ajo i ka braktisur në këtë kohë pandemie. “Bujqësia është sektori që nuk ka marrë asnjë qindarkë ndihmë nga qeveria, megjithëse, në regjistrat e shtetit llogariten si të punësuar rreth 461 mijë persona”, theksoi Ervin Salianji duke denoncuar situatën e vështirë të fermerëve.

SHKARKO APP