Denoncohet drejtoresha në Elbasan, DAR: Mësueset u rrahën me njëra-tjetrën

 

Drejtoria Arsimore e Elbasanit reagoi për denoncimin e bërë nga një mësuese e shkollës “Jeronim De Rada”, e cila pretendoi se drejtoresha e kësaj shkolle dhunonte mësueset.

Por pas reagimit të DAR Elbasan, mësueset janë rrahur mes tyre dhe se drejtoresha nuk ka gisht në këtë konflikt.

“Nisur nga lajmi i publikuar në media mbi rastin e konfliktit midis mësuesve të shkollës “Jeronim de Rada” në Elbasan, ju informojmë se: Pas bërjes me dije për këtë ngjarje, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është dërguar një grup inspektimi që së bashku me ekipin e monitorimit të DAR Elbasan, kanë kryer verifikimet pranë shkollës “Jeronim De Rada”, Elbasan.

Pas verifikimit të ngjarjes nëpërmjet këtij grupi, është konstatuar se mësueset janë konfliktuar me njëra-­tjetrën dhe jo me drejtoreshën e shkollës.

Nisur nga këto konstatime, më datë 05.10.2015 Drejtoria Arsimore Rajonale Elbasan, ka marrë masën disiplinore “vërejtje me paralajmërim për largim nga puna” për drejtuesen e shkollës znj. Matilda Kala, me motivacion “për mosrealizim të detyrave funksionale si drejtore e kësaj shkolle, duke çuar në mosmenaxhimin e situatave konfliktuale të krijuara ndërmjet mësuesve në këtë shkollë”.

Gjithashtu, iu la rekomandim për të marrë masë disiplinore për mësueset e përfshira në konflikt, konform ligjit në fuqi.

Megjithatë edhe pse DAR Elbasan ka kryer disa seanca ballafaqimi e këshillimi me qellim shuarjen e konflikteve, ka rezultuar se situata e krijuar në shkollën “Jeronim de Rada”, nuk është stabilizuar.

Për këtë, DAR Elbasan ka filluar procedurat për largim nga puna për drejtuesen e shkollës znj. Matilda Kala me datë 20.10.2015 me njoftimin për zgjidhje të njëanshme të kontratës.

Drejtoria Arsimore Rajonale Elbasan, nuk mund të tolerojë që ngjarje të tilla konfliktuale dhe aspak etike e profesionale të kenë vend në shkollat tona”, thuhet në reagimin e Drejtorisë Arsimore të Elbasanit.

SHKARKO APP