Denoncuesja e kryegjykatësit të Gjirokastrës me 3 urdhra mbrojtje nga vjehrra
38-vjeçarja që denoncoi kreun e gjykatës së Gjirokastrës për favore seksuale, prej te vitesh dhunohet dhe kërcënohet nga ish-vjehrra.
Kështu ka deklaruar para prokurorëve të çështjes e dëmtuara gjatë marrjes në pyetje. Ajo ka vënë në dispozicion hetuesve urdhrat e mbrojtjes të lëshuar nga gjykata e Gjirokastrës, e cila urdhëron që vjehrra mos të afrohet pranë 38-vjeçares. Gjatë dëshmisë së saj 8-orëshe, nëna e dy fëmijëve ka treguar se është lënë në rrugë nga njerëzit e bashkëshortit, duke u kthyer për të jetuar pranë prindërve bashkë me dy fëmijët për të cilët ish-bashkëshorti nuk paguan edhe pensionin ushqimor.
Nga ana tjetër, mësohet se 38-vjeçarja u ka treguar hetuesve takimet me kryetarin e gjykatës, tashmë të shkarkuar nga detyra dhe pezulluar edhe nga puna si gjyqtar. Ajo u ka thënë prokurorëve se e kishte takuar për t’i kërkuar ndihmë dhe të sqaronte se çfarë rrugë të ndiqte për të siguruar banesën për fëmijët. Por gjatë këtyre takimeve, 38-vjeçarja ka treguar se ai e provokonte dhe ka kërkuar favore seksuale për ta ndihmuar.
Nëna e dy fëmijëve ka pranuar se është takuar me gjyqtarin e pezulluar Guximtar Boçi jo vetëm në lokal, por edhe në zyrën e tij të punës. Në këto takime, ka thënë nëna e dy fëmijëve Boçi insistonte të krijonte një lidhje intime në shkëmbim të ndihmës në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit.
E dëmtuara ka pretenduar gjatë dëshmisë se për shkak se nuk kishte pranuar lidhjen me kryetarin e gjykatës, ky i fundit kishte ndërhyrë tek gjyqtarja e çështjes që të jepte vendimin kundër saj. Vendim ky që më pas është lënë në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër në favor të familjarëve të ish-bashkëshortit të 38 -vjeçares.
KOHA JONË SONDAZH

