Departamenti Amerikan i Drejtësisë – ICITAP, certifikon 40 oficerë të zbatimit të ligjit

Departamenti Amerikan i Drejtësisë – ICITAP, në partneritet me Policinë e Shtetit dhe Akademinë e Sigurisë shënuan arritjet e 40 oficerëve të zbatimit të ligjit në një ceremoni certifikimi për kursin trejavor të hetimit të krimit.

Mes të diplomuarve ishin pesë oficere gra të policisë dhe tri inspektore nga Njësia e Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Burgjeve.

I nisur në vitin 2022, ky program synon të rrisë aftësitë e Oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në hetimet e krimit për të përmbushur standardet kombëtare. I mbështetur nga zyrtarë të lartë shqiptarë, kursi ka trajnuar tashmë mbi 200 oficerë dhe vazhdon të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve për profesionistët e fushës së zbatimit të ligjit në Shqipëri. Ambasada e SHBA është krenare të mbështesë këtë nismë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

Muajin e kaluar, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda mirpriti në një takim Richard Deasy, drejtorin e programit ICITAP, me qëllim konsolidimin e urave të bashkëpunimit, në kuadër të programit amerikan ICITAP. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtori i ICITAP garantuan thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në SHBA.

Gjatë takimit, Proda shprehu mirënjohje për të gjithë kontributin e agjencive ligjzbatuese amerikane dhe programit ICITAP në veçanti, për Policinë e Shtetit, nëpërmjet asistencave të vazhdueshme logjistike dhe teknike, për trainime per hetime dhe operacione policore me rëndësi. /j.p/

SHKARKO APP