Departamenti Amerikan i Shtetit ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës për të pranuar emigrantë nga SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës për të pranuar deri në 50 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vendimin e mbledhjes që u mbajt sot u tha që emigrantët do të qëndrojnë në Kosovë, me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt të tyre në vendin e prejardhjes.
Në një deklaratë për CBS News, rrjetin e madh amerikan të lajmeve, Departamenti i Shtetit i SHBA tha se : “Mirëpresim bashkëpunimin në këtë prioritet kyç të administratës Trump”
“Ne i jemi mirënjohës partnerit tonë Kosovë për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguara nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të atyre të huajve në vendet e tyre,” shtoi Departamenti i Shtetit.
Në një deklaratë për CBS News, ambasada e Kosovës në SHBA konfirmoi marrëveshjen për pranimin e të deportuarve.
“Në përgjigje të kërkesës së Shteteve të Bashkuara lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e shtetasve të vendeve të treta, kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje në përputhje me kushtet e përcaktuara,” thuhet në deklaratën e ambasadës.
Ambasada e Kosovës sqaroi se marrëveshja parashikon që 50 persona të deportuar nga vende të tjera të zhvendosen përkohësisht në Kosovë, ndërsa autoritetet punojnë për të mundësuar kthimin e sigurt të tyre në vendet e origjinës.
“Është e paqartë se kush saktësisht mund të dërgohet nga SHBA në Kosovë ose nga cilat vende do të jenë. Në mënyrë tipike, SHBA përdor marrëveshjet e deportimit të vendeve të treta për të deportuar emigrantët, vendet e origjinës së të cilëve nuk do t’i marrin përsëri, në disa raste për shkak të marrëdhënieve të tensionuara diplomatike.
Ambasada e Kosovës tha se qeveria në Prishtinë do të kërkonte “mundësinë për të përzgjedhur individë nga një grup i propozuar, me kusht që ata të përmbushin kriteret specifike që lidhen me sundimin e ligjit dhe rendin publik.”