Deputeti Gjoni: Demokratët, besim të plotë ndaj liderit historik Sali Berisha!
Partia Demokratike po kalon një proces të rëndësishëm riorganizimi, i cili ka kulmuar me referendumin për votëbesimin e kryetarit të saj, Sali Berisha.
Të dhënat e para nga komisioni i organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale tregojnë një pjesëmarrje të lartë, ku vetëm në tre orët e para të procesit kishin votuar 11.906 anëtarë nga rreth 51.700 në total, duke shënuar një fluks prej mbi 20 përqind.
Për deputetin e PD, Gjin Gjoni ky masivitet në radhët e anëtarësisë interpretohet si një mbështetje e plotë dhe një rikonfirmim për liderin historik të kësaj force politike.

Në intervistën e dhënë në Syri Tv për moderatorin Bled Marku në edicionin e mesditës, Gjoni tha se përtej një votëbesimi të thjeshtë, demokratët duket se e shohin këtë moment si një rikthim tek vlerat thelbësore që çuan në integrimin e Shqipërisë në NATO, Këshillin e Evropës dhe liberalizimin e vizave.
Rritja e konkurrencës së brendshme, theksoi Gjoni, po i paraprin Kuvendit Kombëtar të javës së ardhshme, i cili pritet të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar dhe të miratojë ndryshime statusore, ku më e rëndësishmja, Kuvendi do të përcaktojë vijën e re të ashpër të aksionit opozitar.
Anëtarësia e Partisë Demokratike dhe gjithë forumet e Partisë Demokratike e kanë pritur në mënyrë më të mirë të mundshme pasi ashtu siç e ka deklaruar dhe kryetari i Partisë Demokratike, zoti Berisha, ky është një referendum i Partisë Demokratike. Pasi, të jemi të sinqertë, këtu flitet për votim të liderit historik të Partisë Demokratike, njeriut i cili ka sjellë ndryshime të rrënjësore jo vetëm brenda Partisë Demokratike, por njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë. Që me ardhjen e pluralizmit, që me futjen e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, që me futjen e Shqipërisë në OSBE, me futjen e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave dhe njëkohësisht në marrjen e kandidimit të Shqipërisë për vend kandidat në Bashkimin Evropian. Dhe të gjithë këto faktorë domosdoshmërisht e kanë kthyer votimin e sotëm në një referendum, në një referendum të cilin demokratët e kanë mirëpritur për një arsye e cila në vetvete… sepse votohet jo për kryetarin e Partisë Demokratike, por për rikonfirmimin e liderit historik, i cili ka sjellë ndryshime të jashtëzakonshme.

Dhe vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për Partinë Demokratike, ashtu siç e keni transmetuar edhe juve në të gjithë debatin publik dhe politik që ka qenë edhe brenda Partisë Demokratike, por edhe nga faktorët e jashtëm, të cilët e çuan Partinë Demokratike në kushtet e ekzistencës, në kushtet e vetasgjësimit për shkak të konfliktit të brendshëm. Dhe ishte këmbëngulja e liderit historik dhe e rithemelimit të cilët e ringritën Partinë Demokratike, e çuan aty ku e ka vendin në histori dhe sot është një Parti Demokratike e cila ka marrë një hov të jashtëzakonshëm, qoftë në ambientin e brendshëm dhe në politikën e brendshme shqiptare, por edhe për sa i përket faktorit ndërkombëtar, me gjithë mënyrën se si është përqasur ndaj gjithë problemeve që sot ka Shqipëria.
Dhe është, përveç kësaj, është edhe historike që Partia Demokratike si busull të saj ka integrimin evropian dhe lideri historik dhe Partia Demokratike vazhdojnë të qëndrojnë stoik ndaj këtij premtimi që i kanë bërë shqiptarëve që nga viti 1990, që nga momenti i ardhjes së pluralizmit politik. Dhe po ta shihni në të gjithë qasjen politike, pavarësisht konfliktit të brendshëm, pavarësisht gjërave të cilat sot shqiptarët po i përjetojnë, Partia Demokratike dhe lideri historik i qëndrojnë thellësisht të bindur në qëndrimin që mbajnë për të avancuar dhe për të dhënë gjithmonë votimin pro të çdo projektligji, të çdo qëndrimi që ka të bëjë në lidhje me avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Ky masivitet do të thotë që ka një besim të plotë ndaj liderit historik dhe rikonfirmimit të tij për shkak të angazhimit të tij politik, por edhe qëndrimit të tij të fortë opozitar. Por edhe shpresës që kanë shqiptarët dhe anëtarët e Partisë Demokratike se është personi i duhur për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën bashkë me ekipin e tij dhe lidershipin e Partisë Demokratike. Dhe padyshim kjo është një ogur i mirë, pasi ka rritur entuziazmin në radhët e simpatizantëve dhe njëkohësisht edhe të anëtarëve të Partisë Demokratike, që nëpërmjet qëndrimeve kurajoze, denoncimeve të shumta, lidershipit të tij dhe mënyrës se si është përqasur sot në realitetin e ri politik, të japin dhe të ketë një masivitet të anëtarëve për të votuar në raport me rikonfirmimin dhe referendumin e liderit historik. Sot po ndjehet në të gjithë organigramën e Partisë Demokratike dhe strukturat e Partisë Demokratike. Unë e kam vërejtur vetë edhe në qarkun e Lezhës, ka një konkurrencë të shtuar të njerëzve të cilët kandidojnë për organet drejtuese të Partisë Demokratike dhe të kryesisë. Po kështu, ka një numër të shtuar dhe kemi një numër rekord të njerëzve të cilët kërkojnë që të kandidojnë për Këshillin Kombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

