Deputeti i PDK për Kurtin: Bën si hero, i ka shpallur l@ftë ndërkombëtarëve! Eksperti: Vuçiç në të njëjtin linjë me Moskën
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç doli sot me 7 kërkesa si parakushte për dialogun. Deputeti i PDK, Hisen Berisha tha se lajmi që qarkulloi për ”pushtimin e Kosovës” është thjesht një shaka e radhës. Sipas tij, qëllimi i Vuçiç është që para popullit të duket si mbrojtës i serbëve.
“Tendenca e tij sot ishte që para popullit të vet të dalë si mbrojtës, të portretizohet si mbrojtës i botës serbe, të drejtave të serbëve dhe të tërheqë vëmendjen tyre. E gjithë ajo bujë për daljen e tij, ishte për të realizuar këtë duke thënë së pari se e shpalli Kosovën si territor të okupuar, jo se do ta okupojë ai. Kosova është një shtet që ka luftuar kundër regjimit të Millosheviçit, e kanë fituar lirinë edhe me mbështetjen e aleatëve. Okupimi i Kosovës nga Vuçiç është shaka e radhës, nuk besoj se është çmend aq shumë saqë të pretendojë sulmin ndaj Kosovës”, tha Hiseni në Report Tv.
Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Bedri Elezi tha në Report se çdo përpjekje për të përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës duhet trajtuar me seriozitet. Ai tha se veprimet e Serbisë janë të koordinuara me Moskën.
“Çdo përpjekje për të eskaluar situatën e sigurisë duhet të trajtohet me seriozitet, duket se këto veprime të Serbisë janë të koordinuara me Moskën, dje kishim deklarimin e ministrit të jashtëm të Rusisë se po bëhet spastrim etnik në Kosovë. Këto deklarime janë për të justifikuar veprimet e tyre siç janë protestat, veprimet për eskalim të situatës, si edhe të paralajmërojë BE që zhvillimet që janë në Rusi dhe Lindje të mesme të barten në Ballkan”, u shpreh Elezi.
Deputeti i PDK kritikoi ashpër qeverinë e Kurtit, duke thënë se po i shpallin luftë ndërkombëtarëve me veprimet që kanë marrë pa konsultimin e tyre. Hiseni tha se Kurti po sillet hero, por sipas tij skenari i qeverisë së tij në dëm të Kosovës, integritetit dhe sovranitet të saj.