Deputeti i PS-së: Jo mbyllje të dytë, qeveria ka paguar për 1,4 milionë vaksina

Buxheti i vitit 2021, i votuar ditën e hënë në tërësi në Parlament, pothuajse në çdo zë i influencuar nga dy episode fatkeqe për Shqipërinë, tërmeti dhe pandemia. Nga shifra e shtuar në buxhet prej 5,2 miliardësh, zërat prioritarë janë 1,2 miliardët e rimburisimit të ilaçeve Covid-19 dhe 2,5 miliardë për pagesën e papunësisë e ndihmën ekonomike.

Deputeti i PS dhe ish-ministër i Financave, Anastas Angjeli thotë se janë 1,2 miliardë lekë që u shtuan për rimbursimin e ilaçeve për Covid-19. ”Unë besoj se kjo është një shumë e konsiderueshme, e cila i plotëson nevojat. Nëse situata do të ndryshojë, do t’i drejtohemi ligjvënësve për ta rritur këtë shumë. Besoj se është një nismë e duhur dhe e nevojshme”,-tha ai.

Nga ana tjetër, Angjeli theksoi qeveria mund të përdorë borxhin për zhvillim të ekonomisë dhe nga ana tjetër për të përballuar efektet e krizës së pandemisë.

”Duke parë ecurinë e pandemisë, parashikojmë të mos ketë një mbyllje të dytë. Do të ishte fatale një mbyllje e dytë, ndërsa në këtë situatë parashikohet një rritje e ekonomisë. Ne kemi ulur taksat dhe kemi zhvendosur në kohë pagimin e tyre. Nëse ka risk, ne do t’i drejtohemi sigurimit të likuiditetit nëpërmjet fenomenit të borxhit, natyrisht pa i kaluar përmasat dhe e ekzagjeruar atë. BE pas 50 vjetësh, prishi kriteret e konvergjencës për borxhin dhe deficitin, nuk lejonte borxh mbi 60%, ndërsa në këtë krizë po arrin në 100%. Edhe ne do ta përdorim këtë instrument, me dobi nga njëra anë të zhvillimit të ekonomisë dhe nga ana tjetër për të përballuar efektet e krizës së pandemisë”,-tha më tej në ”A2cnn”.

SHKARKO APP