Deputeti Mark Frroku: Dritan Prifti rri me diktofona në xhep. Me Tomën nuk kam lidhje për çka thotë

 

 Për herë të parë dëshmia e deputetit Mark Frroku në emisionin “Të Paekspozuarit” tek Ylli Rakipi qe ka nisur prej ores 20:45 te mbremjes se sotme.

Në pjesën e parë të emisionit u prezantua një material filmik, ndersa tani po vijon biseda në studio me deputetin kristiandemokrat.

 Intervista minute pas minute

Ylli Rakipi: Një miku im gazetar më shkruante: Në këtë proçes shumë të vrarë dhe asnjë i vdekur. Në pikëpamjen tuaj çfarë është kjo ngjarje?

Mark Frroku: Duke parë sekuencat duhet të them se nuk është Mark Frroku, por një tjetër që ka thënë se Mark Frroku e ka njoftuar Tom Doshin. Është gazetar investigativ dhe këtë deklaratë e ka bërë para 7-8 ditësh. Mark Frroku i ka bërë deklaratat e tij para Prokurorisë dhe Krimeve të Rënda. U qendroj këtyre deklaratave dhe nuk jam unë personi që i kam thënë Tom Doshit apo dikujt tjetër që ndaj teje po organizohet një vrasje.

Ylli Rakipi: Këto janë qëndrime që ju i keni shprehur në media. Është pjekur në mendjen tuaj se cfarë është kjo ngjarje, pasi ju keni qenë njeri i afërt i Doshit dhe Dritan Priftit?

Mark Frroku: Kam rreth 1.5 vjet që e kam mik Tom Doshit. E kemi nisur miqësinë në politikë dhe e kam vazhduar në biznes. Me Priftin nuk kam miqësi. Lidhja e vetme ka qenë shitja e një biznesi familjes sime.

Ylli Rakipi: Si hytë ju në këtë ngjarje?

Mark Frroku: Unë me Doshin kam miqësi, jam shoqëruar me të në parlament, kafe.

Ylli Rakipi: Ku jeni njoftuar për skandalin?

Mark Frroku: Vetëm në media. E kam parë Tom Doshin në daljet e tij publike duke deklaruar se personi që e ka informuar ka qenë Mark Frroku.

 Ylli Rakipi: Çfarë menduat kur e dëgjuat këtë deklaratë?

Mark Frroku: Duke qenë se unë jam shoqëruar gjithmonë me Doshin dhe të kam ndarë një pjesë të madhe të politikës në parlament dhe në qarkun e Shkodrës, Doshi ndoshta ka menduar se edhe pjesën e politikës që kam ndarë me të, mund të ndaja edhe këtë hall të tij. Por unë shoh hallet e mia dhe në rrafsh politik, hallet e zgjedhësve të mi dhe detyrën time si parlamentar në zbatim të ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë.

Ylli Rakipi: Doshi pretendon se në gusht ju i keni thënë se Meta do ta vrasë?

Mark Frroku: Përderisa nuk kam lidhje me këtë ngjarje, nuk di të them data.

Ylli Rakipi: Ju ishit mik me të, ishit të shqetësuar se dikush mund ta vriste?

Mark Frroku: Mua Doshi nuk më ka thënë gjë. Kemi ndarë shqetësime politike, si pjesë e Komisionit të Ligjeve dhe në parlament. Kemi diskutuar probleme politike, por jo për këtë çështje.

Ylli Rakipi: Ju nuk e keni parë atë të shqetësuar?

Mark Frroku: Ne kemi dalë lirshëm, nuk kam parë asnjë shqetësim.

Ylli Rakipi: Prifti ka thënë se ka qenë në dijeni në tetor.

Mark Frroku: Ndoshta Prifti ka më shumë informacion se unë.

Ylli Rakipi: Durim Bami ishte i porosituri për ta vrarë. Thelbi i deklaratës së Doshit ishte se këtë ia keni thënë ju.

Mark Frroku: Unë nuk e njoh Durim Bamin dhe nuk kam si ti kem thënë Doshit.

Ylli Rakipi: Ka  deklarata se keni qenë në një dasëm të një të afërmi të Bamit.

Mark Frroku: Nuk është e vërtetë. Në dasma ka dhe kamera përveç sazeve. Policia mund të marrë kamerat nëse ka. Unë nuk kam qenë në asnjë dasme as në Krujë dhe as në Fushë Krujë. Doshi rri me shumë veta për shkak të lidhjeve politike dhe personale. Unë nuk shkoj në tavolinat e Doshit dhe të marr gjeneralitetet e njerëzve me të cilët rri. Unë nuk bëj analiza të tilla. Por të garantoj se nuk kam qenë në asnjë dasem në Fushë Krujë dhe as në Krujë. Ta garantoj me jeten time.

Ylli Rakipi: Kur e keni njohur Doshin dhe cili ka qenë fillimisht raporti juaj?

Mark Frroku: Nuk isha unë fillimisht i përzgjedhuri i Partisë KristianDemokrate për të garuar. Ishte vëllai im i cili vuan padrejtësisht dënimin. Më pas kam njohur Doshin që garantonte për PS në atë qark dhe ai më mbështeti. Njohja ka qenë politike fillimisht. Doshi ka dhënë kontributin e tij, por kanë qenë zgjedhësit dhe puna ime dhe Partisë Kristian Demokrate që na ka nxjerrë faqebardhë. Më pas nisëm një biznes bashkë te rruga e Durrësit dhe lidhja jonë u bë më e fortë.

Ylli Rakipi: Ka akuza se më 2014 keni fshehur në makinën tuaj një narkotrafikant. Është ky gabim i policisë apo keqkuptim?

Mark Frroku: Unë mund të jem ndaluar nga policia edhe 15 herë nga kontrolle rutinë. Jo për Mark Frrokun, por janë masat e policisë ose postobbloqe të policisë rrugore. Unë kam respektuar dhe kam vazhduar rrugën time. Përsa i përket neotrafikantëve, unë nuk kam pasur njerëz të tillë në makinë. Në makinën time udhëtoj me shoferin tim dhe familjen time. Nuk marr njerëz të tjerë. Raporti i policisë nuk thotë se kush ishte në makinë, por thotë që ishte Mark Frroku. Kam verifikuar diçka përsa i përket targës dhe ajo targë që është në raportin e policisë nuk është targa ime. Policia thotë se makina ime sipas raportit ka targën në fund  GY, ndërsa makina ime e ka GX. Është një lapsus i atyre që kanë bërë raportin, ose raporti mund të jetë trillim.

Ylli Rakipi: Një javë më parë në këtë studio Dritan Prifti deklaroi se Ilir Meta donte ta vriste dhe për këtë e kishte informuar Mark Frroku.

Mark Frroku: Po më vjen habi pasi nuk ka të vërtetë në këtë deklaratë. Unë me Priftin jam takuar vetëm për biznes se ai ka qenë ndërmjetës në shitjen e një biznesi të familjes sime. Priftin e kam njohur nëpërmjet Tom Doshit dhe takimet tona kanë qenë nëpërmjet Tomës dhe një personi tjetër të huaji që bleu sipërmarjen e familjes sime.

Ylli Rakipi: Prifti e dinte për videon në tetor, ndërsa ju rrinit bashkë me Doshin dhe nuk dinit asgjë?

Mark Frroku: Unë interesohem për punët e mia dhe asnjëherë për punët e tjera. Nuk gërmoj për hallet e askujt. Me Priftin diskutimet kanë qenë vetëm në kuadër të shitjes së kësaj kompanie. Zoti Prifti ardhjen në këtë studio e ka bërë si mbrojtës i Doshit duke lakuar edhe emrin tim. Ndoshta ka menduar Prifti se unë nuk kam gojë dhe nuk flas. Por unë mund të vij dhe të them vetë atë që kam parë dhe di. Zoti Prifti ka thënë që nuk jam Mark Frroku dhe kjo është e vërtetë se Mark Frroku nuk rri me diktofona në xhepa.

Ylli Rakipi: Interesi është që kur tre miq rrinë bashkë, vetëm 2 e dinë problemin e njërit.

Mark Frroku: Unë kam qenë me Doshin, kemi diskutuar çështje biznesi dhe politike, por jo këtë çështje.

 Ylli Rakipi: Prifti ka deklaruar këtu se Meta me Doshin kanë dalë për dreka-darka, ka lëvizur edhe në veri të Shqipërisë për biznes.

Mark Frroku: Unë e di që Doshi ka qenë mik me Metën, kanë dalë për dreka, darka. Meta është kryetar Kuvendi, ndërsa Doshi një deputet i fuqishëm në qarkun e Shkodrës. Unë jam deputet i ri dhe nuk më ka interesuar që zhbiriloj lidhjet e tyre apo të deputetëve të tjerë. Unë jam marrë me punët e mia, kjo më intereson.

Ylli Rakipi: Prifti pretendon se vrasësi i tij i urdhëruar nga Meta do të vinte nga Suedia, i keni treguar detaje.

Mark Frroku: Kjo është përrallë, është telenovelë. Prfti është munduar me këto, unë nuk bëhem pjesë. Këto Prifti ti mbaj për vete. Nuk i kam thënë Priftit që do të vrasë Ilir Meta. Nuk përzihem në këto gjera. Nuk shquhem në rrethim tim shoqëror apo ku më ka shkelur këmba që unë e njoh intrigën. Mark Frroku nuk merret me intriga……………………………………………………(marre me shkurtime)

SHKARKO APP