
Visar Mehmeti fitoi mandatin si deputet në zgjedhjet e së dielës në Serbi, dhe i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama një angazhim më të madh për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se bashkëpunimi me Tiranën zyrtare duhet të jetë më intensiv. “Barrën kryesore e ka kryeministri i Shqipërisë”, deklaroi ai, duke kërkuar më shumë mbështetje për komunitetin shqiptar.
Një prej shqetësimeve kryesore të përfaqësuesve shqiptarë në parlamentin serb mbetet pasivizimi i adresave, të cilin Mehmeti e cilësoi si një faktor që ka penguar qytetarët të votojnë. Ai kërkoi rikthimin në fuqi të adresave të pasivizuara dhe mundësinë që qytetarët të përdorin dokumentacionin e tyre të vlefshëm.
“Kërkesa kryesore është që adresat e pasivizuara të aktivizohen”, u shpreh deputeti për ”Report TV”, duke shtuar se kjo çështje është ngritur edhe në institucione evropiane dhe në Kongresin amerikan.
Sa i përket rezultatit zgjedhor në Serbi, Mehmeti tha se shanset për sigurimin e një mandati të tretë shqiptar janë të vogla, duke përmendur si faktorë pjesëmarrjen e lartë të votuesve dhe pasivizimin e adresave.
Për bashkëpunimin me shumicën e re parlamentare, ai u shpreh optimist për nisjen e kontakteve pas certifikimit të zgjedhjeve, por theksoi se qëndrimi i saj duhet të vlerësohet nga veprimet konkrete. Për çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia, Mehmeti parashikoi se mund të ketë një qasje disi më ndryshe, por jo ndryshime të mëdha krahasuar me qeverisjen e mëparshme. “Nuk mund të presim ndonjë ndryshim drastik prej qeverisjes së kaluar”, përfundoi ai.
