Deputetja Bylykbashi: Investimet për fëmijët dhe arsimin mbeten prioritet në Elbasan
Deputetja e Partisë Socialiste e Elbasanit, Aulona Bylykbashi, e ka vendosur fokusin e fjalës së saj në Kuvend tek investimet për fëmijët, arsimin dhe hapësirat publike në qytetin e Elbasanit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Nga foltorja e Parlamentit, Bylykbashi theksoi se mirëqenia e brezit të ri duhet të jetë në qendër të çdo politike publike dhe se cilësia e jetës së fëmijëve është një nga treguesit kryesorë të zhvillimit të një qyteti modern.
Sipas saj, në Elbasan po vijojnë investime të rëndësishme në infrastrukturën arsimore, ku aktualisht janë në proces rikonstruksioni të plotë katër shkolla, ndërsa po ndërtohet nga e para edhe një çerdhe e re. Këto investime, tha deputetja, synojnë krijimin e kushteve më të mira për mijëra nxënës dhe familje.
Bylykbashi u ndal edhe te projekti rekreativ “Dua të Luaj”, që po ndërtohet në Elbasan me mbështetjen e Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas saj, parku i ri, me një sipërfaqe prej rreth 22 mijë metrash katrorë, do të ofrojë fusha sportive multifunksionale, kënde lojërash për fëmijë, hapësira argëtimi për grupmosha të ndryshme, zona të gjelbra dhe ambiente rekreative për familjet.
Ajo e cilësoi këtë investim si një pikë të re referimi për jetën komunitare, sportin dhe aktivitetet në natyrë, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të hapësirave publike të dedikuara për fëmijët dhe familjet.
Deputetja përcolli gjithashtu një kërkesë të banorëve të zonës së Fushë-Mbretit për ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijët. Sipas saj, kjo është një nevojë konkrete e komunitetit që meriton vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, pasi investimet në hapësira të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, socializimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Në përfundim të fjalës së saj, Bylykbashi komentoi edhe ngjarjen e ndodhur në Zvërnec, duke dënuar çdo formë dhune ndaj qytetarëve dhe protestuesve. Ajo kërkoi zbardhjen e plotë të ngjarjes, vendosjen e përgjegjësive individuale dhe marrjen e masave administrative e penale ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin.
Deputetja theksoi se debatet për zhvillimin e vendit duhet të zhvillohen me qetësi, transparencë dhe respekt për faktet, ndërsa projektet me rëndësi kombëtare duhet të kalojnë përmes procedurave të plota të vlerësimit dhe kontrollit institucional, me qëllim garantimin e interesit publik dhe mbrojtjen e mjedisit.
KOHA JONË SONDAZH

