FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Deputetja Koçeku akuza ndaj grupit të Bajrave, drejtori Hita: S’ka denoncim në polici. Avokati: Sulm i drejtpërdrejtë

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita thotë se deputetja Marjana Koçeku nuk ka bërë asnjë kallëzim në polici, i pyetur pas mesazhit të saj në rrjetet sociale kundrejt grupit kriminal të Bajrave. ”Policia është në mbrojtje të jetës të cdo personi. Është detyrim ligjor të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve. Në bazë të kërcënimit dhe rrezikut, do bëhet edhe vlerësimi i mbrojtjes. Por denoncim konkret nuk ka në polici”, tha Hita në një deklaratë për Report Tv.

Pas statusit publik të deputetes Marjana Koçeku, avokati i familjes Bajri, tha se deklarata e saj është e pabazuar në prova dhe se është një sulm ndaj reputacionit të personave që ajo i referohet.

Nga ana tjetër, këtë të mërkurë Koçeku mungoi në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, por deklarata e saj drejtuar grupit kriminal të Bajrave është bërë çështje diskutimi. Ishte deputetja e PD, Albana Vokshi e cila ngriti pyetjen se çfarë garancie kanë qytetarët e thjeshtë kur krimi i organizuar kërcënon një deputete.

Swiss Digital Desktop Reklama

Reagimi i Koçekut ndaj grupit të Bajrave vjen pas largimit të saj nga grupi i PS-së, ndërsa në rrjet është kritikuar dhe i është kërkuar që të lërë mandatin e deputetes, të cilin e fitoi pasi ishte pjesë e listës së mbyllur të socialistëve në Shkodër. Opozita ka folur, pasi Sali Berisha thotë se Koçeku është kërcënuar nga Rama pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deklarata e plotë nga avokati i familjes Bajri

Jemi njohur me deklaratat publike të deputetes Marjana Koçeku, në të cilat përmenden klientët tanë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me etiketime që, sipas vlerësimit tonë, nuk mbështeten në asnjë fakt apo provë të bërë publike.

Si përfaqësues ligjorë të klientëve tanë, e konsiderojmë të papranueshme që individë të caktuar të etiketohen dhe të paragjykohen përmes deklaratave publike, jashtë çdo procesi ligjor dhe pa asnjë vendimmarrje gjyqësore që të justifikojë pretendime të tilla.

Në një shtet demokratik dhe të bazuar në sundimin e ligjit, përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të ndërtohet mbi përgjithësime, etiketime apo deklarata politike. Çdo pretendim duhet të provohet përpara institucioneve kompetente dhe jo nëpërmjet mesazheve publike që synojnë të krijojnë perceptime negative në opinionin publik.

Deklaratat në fjalë jo vetëm që cenojnë rëndë reputacionin e personave të përmendur, por krijojnë edhe një klimë të panevojshme tensioni dhe përçarjeje. Askush nuk duhet të vendoset në bankën e të akuzuarve përmes mediave apo rrjeteve sociale.

Për këtë arsye, po analizojmë me kujdes përmbajtjen e deklaratave të bëra dhe rezervojmë të drejtën për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore që parashikon legjislacioni shqiptar për mbrojtjen e interesave, dinjitetit dhe reputacionit të klientëve tanë.

Ftojmë deputeten Koçeku që çdo pretendim që ajo mund të ketë ta adresojë pranë organeve kompetente të drejtësisë dhe jo përmes deklaratave publike që rrezikojnë të paragjykojnë persona të caktuar dhe të dëmtojnë reputacionin e tyre pa një bazë të provuar ligjore.

Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri të drejtat e klientëve tanë dhe të reagojmë ndaj çdo deklarate që cenon parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?