Deputetja Luarasi flet për videon e sulmit verbal: 730 komente që flisnin për varje dhe pushkatim
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka rikthyer në vëmendje incidentin e ndodhur disa ditë më parë, kur sipas saj u përndoq nga një grup protestuesish teksa po shkonte drejt Kuvendit.
Duke folur për ndikimin e rrjeteve sociale dhe mënyrën se si përhapen përmbajtjet në internet, Luarasi tha se videoja e incidentit është parë nga miliona persona dhe ka gjeneruar një numër të madh reagimesh.
Sipas deputetes socialiste, monitorimi i reagimeve pas publikimit të videos ka evidentuar 708 artikuj në 64 media online dhe 134 llogari të emërtuara, ndërsa shtrirja e përgjithshme e përmbajtjes ka arritur në 14.9 milionë.
“Shikimet 4.8 milionë. 80 për qind e të gjithë kësaj ndodhi brenda 48 orëve”, deklaroi Luarasi.
Ajo u ndal veçanërisht te komentet që i cilësoi si kërcënuese ose potencialisht të dhunshme. Sipas saj, janë identifikuar rreth 730 komente të tilla, ku bëhej thirrje për burgosje, zhdukje, varje, djegie apo pushkatim.
“Një javë më parë, teksa po vija drejt seancës plenare, u përndoq nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit, që ulërinin fyerje që mendoj se nuk i meritoj. Kjo ishte një video që u pa nga miliona njerëz. Unë s’jam këtu për ta ritreguar, por jam këtu për të treguar atë që ndodhi pas videos”, tha Luarasi.
KOHA JONË SONDAZH

