Deputetja Tabaku në Kuvend: Po favorizohen oligarkët, jo qytetarët e ndershëm

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku hodhi akuza ndaj qeverisë për hartimin e ligjeve që favorizojnë oligarkët dhe ndëshkojnë qytetarët e ndershëm. ”Një sistem i pandershëm që favorizon oligarkët dhe ndëshkon qytetarët e ndershëm. Katër muaj para zgjedhjeve, Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ekonomike. Të ardhurat për frymë janë më të ultat në rajon.

Pensionet janë më të ultat në Ballkanin Perëndimor. Çmimet rriten çdo muaj, ndërsa faturat po bëhen të papërballueshme. Por çfarë bën mazhoranca socialiste? A merr masa për të lehtësuar jetesën e qytetarëve? A i ndihmon ata që punojnë me ndershmëri? Jo! Socialistët nuk merren me problemet e shumicës, por me pasurimin e pakicës’‘, deklaroi Tabaku gjatë fjalës në seancën plenare.

Duke e cilësuar realitetin si të zymtë, Tabaku thekson se qeveria sjell dy ligje që falin taksat për oligarkët. Sipas Tabakut, ky nuk është socializëm, po klientelizëm.

”Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve. Kjo nuk është një paketë për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo është një paketë anti-Shqipëri; një paketë që favorizon oligarkët dhe e lë shumicën e shqiptarëve në varfëri; një paketë që forcon monopolin e një pakice, ndërsa shumica lufton për mbijetesë; një paketë që shkatërron konkurrencën dhe pengon shqiptarët e ndershëm të ecin përpara”.

SHKARKO APP