Derhemi sulmon Hervin Çulin: Teatri Kombëtar po shkatërrohet që aty të ndërtohet pallat

“Teatri Kombëtar po shkatërrohet qëllimisht dhe nuk po rikonstruktohet pasi do të shembet që në atë vend të ndërtohet pallat”. Kjo është deklarata e fortë që ka bërë aktori Arben Derhemi në emisionin Oktapod të Turjan Hyskajt. Derhemi thekson se janë 12 mijë metra katrorë që do të lirohen, për tu kthyer në kantier ndërtimi.

Sipas tij, edhe shenjat e qarta që godina nuk rikonstruktohet, kur të gjitha godinat përreth janë përfshirë në këtë proces, vërteton qëllimin e shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Aktori që njihet si kritik i drejtpërdrejtë i drejtorit të Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, u shpreh se ka patur mardhënie shumë të mirë me Çulin, madje drejtori i tanishëm, dikur i merrte autograf.

Derhemi shprehet se Çuli është vënë në atë post nga klane të caktuara në Ministrinë e Kulturës, në mënyrë që të jetë drejtues lehtësisht i komandueshëm. Sipas Arben Derhemit, Teatri Kombëtar është ç’personalizuar dhe po shkon drejt dështimit total, për shkak të drejtimit me arrogancë prej tij nga drejtori Çuli. Arben Derhemi zbuloi se drejtori nuk guxoi të përballej me të në emisionin “Top shoë”, disa javë më parë, madje kishte vënë kushtin që në emision do të ishte o ai, o Derhemi. Lidhur me menaxhimin e shfaqjeve dhe cilësinë e tyre artistike, Derhemi deklaron se niveli sa vjen e ulet e shijet e publikut po prishen, pasi Çuli vetë zgjedh pjesët që vijen në skenë, vetë cakton regjizorët dhe vetë zgjedh aktorët.

Aktori shton tonet kritike për rrogat e ulëta që kanë aktorët, si edhe kontratat 1 vjecare që janë nënshkruar me ta, duke i cilësuar ato ofenduese. Në këtë pikë, Arben Derhemi thotë se janë rreth 150 milion lekë që artistët i kanë fituar nga gjyqet me teatrin, të cilat janë sipas tij, kosto të papërgjegjshmërisë së drejtorit. Derhemi i është përgjigjur me nënqeshje ironike edhe “uljes në kategori” që i ka bërë Çuli, duke u shprehur se janë thjesht forma të dobësisë së drejtorit. Aktori që vuri pak ditë më parë për të 100-tën herë në skenë monodramën “Johan Padan dhe Amerikat” njoftoi se së shpejti do të ngjitet në skenë me një tjetër monodramë, pikërisht me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=ZMxUePeP5zU” width=”560″ height=”315″]

SHKARKO APP