Deri në 10 cm borë, fenomen shumë i rrallë për Tiranën e pas viteve ’90 (FOTO)

Bora zbardhi edhe Tiranën, ku flokët e para u shfaqën pasditen e së shtunës për disa minuta duke krijuar përshtypjen se do të ishte vetëm një përshëndetje me kryeqytetasit por jo, mbrëmja riktheu borën në kryeqytet.

Një fenomen shumë i rrallë për Tiranën e pas viteve ’90, edhe pse bora herë pas here e ka vizituar kryeqytetin për disa minuta, apo me shtresa të holla 2-3 centimetra. Tre dekadat e fundit në Tiranë nuk është vrojtuar një ngjarje bore disa orëshe dhe një shtresë kaq e dukshme e bardhë.

Përtej habisë dhe kënaqësisë që bora shkaktoi në zonat urbane perëndimore, reshjet e borës thelluan me mbi gjysmë metri, shtresën e borës në pjesën më të madhe të zonave malore.

Një ngjarje e tillë atmosferike nuk është e rrallë për klimën malore shqiptare ku bora është fenomen i zakonshëm i dimrit, por është bërë më e rrallë gjatë dy dekadave të fundit. E pazakonta e kësaj ngjarjeje qëndron në temperaturat shumë të ulëta që janë regjistruar gjatë kësaj fundjave ku termometri ka zbritur në -14°C në zonat e banuara rurale ndërsa janë shënuar disa gradë më poshtë në zonat e thella në verilindje të vendit.

Fotot realizuar nga LSA

SHKARKO APP