Deri në orën 13:00! Protestuesit i lanë një afat, por Rama suprizon me përgjigjen
Nga Redjon Shtylla
Afati po mbaron, por kryeministri Edi Rama nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimi i tij, pavarësisht ultimatumit të dhënë nga protestuesit. Pas protestës së djeshme, e cila u shoqërua me përplasje, sulme ndaj institucioneve, dëmtime të bizneseve dhe akte vandalizmi, protestuesit i kanë lënë kreut të qeverisë kohë deri sot në orën 13:00 për të dhënë dorëheqjen.
Protestuesit kanë paralajmëruar se nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet brenda afatit të përcaktuar, aksioni do të përshkallëzohet më tej. Në skenarin e paralajmëruar prej tyre përfshihet një marshim drejt Presidencës, ku synojnë t’i kërkojnë presidentit të ndërhyjë për shpërndarjen e Parlamentit. Orët në vijim pritet të jenë vendimtare për zhvillimet politike dhe situatën në Kryeqytet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim të ri nga qeveria apo opozita do të vijojë me paralajmërimet e saj.
Në këtë klimë të tensionuar politike, kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të enjte përmes një video mesazhi, ku është ndalur te rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe te qëndrimi i tij për të mos lejuar, sipas tij, kthimin pas të vendit. Megjithatë, në deklaratën e tij Rama nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt kërkesës së protestuesve për dorëheqje dhe nuk ka dhënë ndonjë sinjal për ndryshim të qëndrimit të tij.
”Janë orë të vështira që do t’i kalojmë bashkë sepse Shqipëria do të vijojë të ngjitet në rrugën drejt Europës. Kurrë nuk do të jetë më në duart e atyre që kanë kapur për fyti opozitën shqiptare. Kush mendon se ligji është larg, gabon. Kush ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më pas”, u shpreh Rama.
Përmes këtij mesazhi, kreu i qeverisë ka zgjedhur të theksojë vijimin e procesit europian të Shqipërisë, duke paralajmëruar njëkohësisht përgjegjësi ligjore për personat që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e fundit. Deklarata vjen në një moment kur presioni politik ndaj qeverisë është shtuar, ndërsa protestuesit këmbëngulin në kërkesën për largimin e kryeministrit dhe paralajmërojnë hapa të tjerë nëse ultimatumi i tyre nuk merret parasysh.
Tirana vijon me pasojat e protestës së djeshme, e cila u shoqërua me dëmtime të pronave private, vandalizim të hapësirave publike dhe sulme ndaj institucioneve. Bilanci i dëmeve kanë rikthyer në vëmendje tensionet që shoqërojnë protestat politike, si dhe pasojat që përplasjet mund të kenë për qytetarët, bizneset dhe funksionimin normal të institucioneve.
Bizneset e dëmtuara dhe hapësirat publike të vandalizuara përbëjnë një tjetër aspekt të situatës së krijuar pas protestës, ndërsa autoritetet dhe palët politike përballen me një klimë të rënduar përplasjesh. Deri në këtë moment, mesazhi i kryeministrit nuk ka sjellë ndonjë shenjë tërheqjeje nga qëndrimi. Mbetet për t’u parë sesi do zhvillohet situata pas përfundimit të ultimatumit dhe nëse paralajmërimet për përshkallëzim të protestës do të materializohen.

