Deromemaj pranon humbjen: Nuk jam cinik

 

Kandidati i PD për Bashkinë e Vlorës, Genci Deromemaj, pranoi humbjen.

Në një deklaratë për shtyp, ai tha se Vlora “na kërkon të gjithëve bashkë”.

“Beteja që bëmë, të gjithë bashkë, u mbyll. Dua ta mbaj për vete humbjen, dhe t’ju falenderoj juve nga zemra për garën që bëtë në krahun tim.

Nuk mund të them se jam i gëzuar, por jam në paqe me veten për sprovën e pare, në një garë politike të rëndësishme, siç ishte sfida për bashkinë e Vlorës.

Diçka nuk ka shkuar në përllogaritjet, punën apo qasjen time dhe të strukturave mbështetëse të fushatës sime, por kjo është një analizë që do e bëjmë me të tjerë njerëz, dhe në një kohë të dytë.

Unë, me gjithë shpirt, kam punuar dhe kam hartuar një program konkret për Vlorën dhe banorët e saj. Kam shkuar lagje më lagje e fshat më fshat dhe kam takuar shumë njerëz me të cilët kemi qarë halle.

Megjithatë, ata që dolën në votime, edhe pse Vlora shënoi një rekord të ulët në pjesëmarrje në shkallë Republike, panë te rivali im zgjedhjen e tyre.

Nuk dua të tregohem cinik e të them ‘këtë do ta provojë koha’.

Pavarësisht se kush e udhëheq, unë dua që Vlora të bëjë përpara. Ajo e meriton. Njerëzit e saj edhe më shumë.

Në këtë frymë, i uroj suksese kryetarit të Bashkisë së re, Dritan Leli.

Edhe njëherë, të dashur miq, ju falenderoj dhe ju them se kjo ishte një betejë e humbur, por jo lufta,” tha Deromemaj.

SHKARKO APP