Dëshmia e Dumanit te GJKKO, Nasip Naço: Mashtrim për të denigruar integritetin tim

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, dëshmoi sot në GJKKO, ku dha detaje për rrethanat se si u lirua një dekadë më parë pas arrestimit për pengmarrje, duke paguar 40 mijë euro tek avokati, nëpërmjet falsifikimit të raportit mjeko-ligjor. Ai u shpreh se ky dokument ishte lëshuar nga mjeku nëpërmjet ndihmës që i dha edhe dhëndri i vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë në atë kohë, Nasip Naço. Deputeti socialist (në atë kohë, 2014, ministër Drejtësie), shkruan se distancohet nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe gjithashtu që fton organet e drejtësisë që të kryenin hetim të thelluar.

Postimi i plotë i Nasip Naços

“Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:

1-Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.

2-Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:

– Nuk heton,
– Nuk ngre akuza,
– Nuk pushon çështje,
– Nuk jep vendime fajësie apo pafajësie.

Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.

3-Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.

4. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër”.

SHKARKO APP