DËSHMIA tronditëse, 76-vjeçari nga Kukësi përdhunonte dy adoleshentë

 

15 vjeçari me inicialet E. D shkoi vetë në komisariatin 2, të policisë në Tiranë,tre ditë më parë. Ai akuzoi 76 vjeçarin nga Kukësi, Hazer Durakun se e kishte përdhunuar disa herë. Jo vetëm atë, por edhe shokun e tij me inicialet R.G, edhe ai 15 vjeç.

Pas marrjes së denoncimit nga i mituri, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Hazer Duraku, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, i martuar, i padënuar, me arsim katër klasë. Sipas njoftimit të policisë, ai ka konsumuar elementët e veprës penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me persona të pazot për t’u mbrojtur”.

Burime pranë policisë, thanë për “Gazeta Shqiptare” se i arrestuari mohoi akuzat dhe ka thënë se nuk i njeh fare dy djemtë. Në kallëzimet e tyre të miturit kanë sqaruar se 76-vjeçari Duraku ka kryer marrëdhënie homoseksuale kundër dëshirës së tyre muajin e fundit, në mënyrë sistematike. Përveç të miturve, të shokuar nga kjo ngjarje kanë mbetur edhe prindërit e tyre.

Melita, nëna e 15-vjeçarit E. D., tregon se si e mori vesh ngjarjen, dhe raportin që ka pasur i biri me personat e tjerë të përfshirë në këtë histori.

Znj. Melita, si e morët vesh abuzimin që i ka ndodhur djalit tuaj?

Unë kam tre djem. Jo se janë fëmijët e mi, por e them me siguri se janë fëmijë të mbarë dhe nuk janë përzier me asnjë prapësi në jetën e tyre. E. është fëmija i vogël i familjes. Është ende në 9-vjeçare. Të shtunën më merr një polic në telefon dhe më thotë: “Kemi djalin tuaj në komisariat, ejani ta merrni”. Ngaqë nuk më thanë emër, mendova se bëhej fjalë për ndonjë nga djemtë e mëdhenj. Thashë se mos kanë bërë ndonjë sherr dhe janë ndaluar. Kur shkova dhe pashë se aty ishte djali i vogël, nuk munda ta besoj. Ai ishte në një dhomë me një psikologe dhe kur e pyeta “çfarë ke bërë?”, nuk m’u përgjigj. Policët më treguan se çfarë kishte thënë djali. U tmerrova! Në korridor pashë edhe shokun e djalit, R., i cili ka qenë komshi me familjen time.

Po me E., ke biseduar për këtë temë? Ke vënë re ndonjë sjellje të dyshimtë?

E. është një fëmijë shumë i urtë. Ai tregohet gjithmonë shumë i hapur me mua dhe më tregon gjithçka. Kur e pyeta në lidhje me atë që kishte thënë në polici, më tha: “E denoncova atë plakun sepse më detyronte të merrja lekë dhe të lypja”. Këtë u kishte thënë edhe dy vëllezërve të tjerë. Nuk kam dashur t’i ushtroj presion me pyetje, pasi më tha se “sot do të shkoj sërish në komisariat dhe në prani të psikologes do të flasim për këtë temë”.

E njihni ju 76-vjeçarin që dyshohet se ka abuzuar me djalin tuaj?

Jo, nuk e njoh. Djali më ka thënë se e ka takuar rastësisht në qendër të Tiranës kur ishte duke luajtur me shokun e tij. Ne nuk i kemi bërë keq njeriu. Jemi familje e thjeshtë, që jetojmë me hallet tona. Im shoq punon me javë të tëra si murator në Peshkopi për të rritur fëmijët. Prandaj kërkoj nga drejtësia që ta ndëshkojë personin që na ra në qafë.

SHKARKO APP