Dështojnë bisedimet në Kosovë për zgjedhjen e Presidentit, me vrap drejt zgjedhjeve të parakohshme
Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe partia opozitare Lidhja Demokratike (LDK) kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës gjatë një takimi të hënën, dhe palët paralajmëruan se ky ishte takimi i fundit mes tyre.
Duke folur për media pas takimit, lideri i LVV-së, kryeministri Albin Kurti, tha se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i pranoi ofertat e tij për një marrëveshje.
“Më duhet të them se bisedimet ishin të pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua nga kreu i LDK-së”, tha Kurti.
Ai tha se ia ofroi LDK-së, në bashkëqeverisje me partnerët e tjerë, ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera.
Në një ofertë tjetër, Kurti tha se ia ofroi LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Unë kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet pikërisht Abdixhiku, dhe në këtë mënyrë të fillojmë kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe LVV-së”, theksoi Kurti.
Ndërkohë, Abdixhiku theksoi se nuk do të takohet më me Kurtin pas dështimit të bisedimeve.
“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij, që një parti nuk mund t’i udhëheqë tre institucionet kryesore në vend: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.
Sipas tij, kryeministri Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i mbetej partisë së tij.
Kurti, në anën tjetër, nguli këmbë se nuk dëshiron që partia e tij t’i udhëheqë tri institucionet kryesore të vendit.
Ndërkohë, i pyetur nëse ka një përafrim mes LDK-së dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilës i skadoi mandati më 4 prill, Abdixhiku ka deklaruar se diçka e tillë do të ishte lajm i mirë edhe për Kosovën edhe për LDK-në.
“Është qëllimi im dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”.
Takimi Kurti-Abdixhiku vjen teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit do të skadojë më 28 prill, dhe nëse nuk përmbushet, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Pak orë para takimit, Kurti bëri thirrje për kompromis.
“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta”, tha Kurti gjatë mbledhjes së kabinetit të tij.
Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut, pas atij të fillimuajit që përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Në fund të marsit, Gjykata Kushtetuese u dha kohë ligjvënësve deri më 28 prill për ta zgjedhur një president të ri.
Që prej atëherë, ka pasur pak lëvizje në drejtim të një marrëveshjeje të mundshme dhe Kurti nuk e ka zhvilluar asnjë takim deri tani me partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila thotë se po pret shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.
Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.
Edhe ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se partitë opozitare nuk kanë propozuar emra për president në takimet e deritanishme me kryeministrin.
“Në asnjë rast deri tani, nga LDK-ja apo PDK-ja nuk ka pasur propozime apo nismë për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të propozuar emra”, tha ministrja e Kurtit në një konferencë për media të hënën.
Javën e kaluar, Abdixhiku – partia e të cilit i ka 15 vende në Kuvend – i hodhi poshtë thashethemet se ai do të vetëpropozohej për president.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.
Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme./radio Europa e Lirë/
KOHA JONË SONDAZH

