Detaje tronditëse nga vrasja në Dukagjin, 40-vjeçari ishte nën kërcënim që prej vitit 2017
Një breshëri prej 25 plumbash të shkrepur nga një armë automatike i ka marrë jetën 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, në zonën e Karmës së Kirit, përgjatë aksit malor Kir–Prekal. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një segment rrugor me pak lëvizje dhe pa kamera sigurie, çka ka ngritur dyshimet se autorët mund ta kenë përzgjedhur me kujdes vendin për të realizuar atentatin dhe për t’u larguar pa u identifikuar.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, viktima është qëlluar ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij. Trupi i pajetë i 40-vjeçarit është gjetur nga një kalimtar i rastësishëm, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dyshohet se autorët i kanë ngritur pritë Koçekut dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri automatiku.
Hetimet janë përqendruar në disa pista, por një nga më të rëndësishmet lidhet me një konflikt të hershëm dhe mundësinë e hakmarrjes. Familjarët e viktimës kanë deklaruar se Aleksandër Koçeku jetonte prej vitit 2017 nën kërcënimin e një hakmarrjeje të mundshme.
Sipas burimeve pranë hetimit, dyshimet lidhen me vrasjen e Angjelin Shkambit në vitin 2017, një ngjarje për të cilën vëllai i Aleksandër Koçekut, Artan Koçeku, po vuan dënimin me burg. Familjarët dyshojnë se atentati i fundit mund të jetë një vazhdim i këtij konflikti të vjetër.
Ndërkohë, emri i Aleksandër Koçekut ishte i përfshirë edhe në një tjetër çështje penale. Ai ishte nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës për dosjen e vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka, ndërsa pak ditë më parë ishin zgjatur afatet e hetimit për këtë çështje.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
KOHA JONË SONDAZH

