Detajet, pse “Arena Kombëtare” do kushtojë 50 milionë euro

 

Ka qenë konsorciumi “MANICA Architecture” me “Progetto CMR”, si dhe arkitektët ekskluzivë të ekipit Italian “Serenissima Construction” që kanë fituar konkursin ndërkombëtar të projektimit dhe zbatimit të Stadiumit Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë.

“MANICA Architecture” ka ofruar ekspertizën e saj në disa prej stadiumeve më të njohura jo vetëm në evropë por edhe në kontinentin e largët të Amerikës apo edhe në Kinën e largët.

Disa prej veprave të tyre kanë të bëjnë pikërisht me stadiumin e “Los Angeles”, “VTB Arena Park”, “Workers Stadium”, “Camp Nou”, “Inter Milan Stadium”, “San Paolo Stadium”, “Wembley Stadium”, etj.

Stadiumi i ri do të zëvendësojë atë ekzistues”Qemal Stafa”, i ndërtuar fillimisht në vitin 1946 dhe i rinovuar më pas në vitin 1974. Sheshi i ndërtimit në të cilin do të ndërtohet stadiumi i ri përbëhet nga plot 36,000 m2.

Kompleksi i ri do të përbëhet nga një sipërfaqe totale ndërtimi prej 43,000 m2 ku përfshihen 25,000 m2 të dedikuara për funksionet e stadiumit, 10,000 m2 për zyra dhe 8,000 m2 për qëllime komerciale. Ky stadium është parashikuar të jetë 22.000 vendësh dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Një risi dhe mbase elementi që e identifikon këtë stadium nga të tjerët në europë do të jetë kulla e lartë në anën veriore të stadiumit, që do të shfrytëzohet si restorant dhe studio televizive.

I projektuar si një strukturë e integruar dhe i klasifikuar në Kategorinë 4 sipas përcaktimeve të UEFA­s mbi stadiumet, ky kompleks i ri do të shndërrohet edhe në një element apo qendër të re sociale të Tiranës, teksa do të shfrytëzohet dhe përdoret si një godinë publike dhe në përdorim gjatë të gjithë vitit. Stadiumi Kombëtar i Shqipërisë është parashikuar të jetë gati në vitin 2018 dhe është vlerësuar se kushton rreth 50 milionë euro.

SHKARKO APP