Devoll, mungon uji i pijshëm, 300 banorë prej 3 vjetësh e pijnë të ndotur

Rreth 300 banorë në fshatin Vërlen të Devollit prej tre vjetësh konsumojnë ujë të ndotur. Shkak është bërë jo vetëm linja mbi 40-vjeçare por edhe ndërhyrjet pa kriter në tubacionin kryesor nga ana e vet banorëve të fshatit. Banorët pranojnë ndërhyrjen nga bashkëfshatarët, dhe kërkojnë që të ndërhyhet për të rikthyer ujin e pijshëm, raporton ora news. “Kur bien shirat, nuk mbush dot ujë të lash rrobat, jo më enët dhe për të pirë. Këto 2-3 vitet e fundit është shumë keq situata. Në çdo vend janë çarë tubacionet. Kur mbush ujë del ndryshk. Detyrohemi të ecim rreth 1 kilometër në këmbë për të mbushur ujë në mal”, tha një banor. Para disa vjetesh nisi një projekt për ndërtimin e ujesjellësit të ri, i cili u ndërtua por tubacionet nuk arritën të shtroheshin deri në fshat. Banorëve të Vërlenit u duhet të ecin çdo ditë rreth 30 minuta në këmbë për të mbushur ujë të pijshëm. Mungesa e ujit ka shkaktuar probleme edhe tek shkolla e fshatit, tualetet e së ciles nuk janë funksionale, ndaj femijët i kryejne në ambjentet e jashtme nevojat personale.

SHKARKO APP