Dha shpirt duke pritur ambulancën, Adriatik Lapaj poston foton me të riun: Më pikëllove Amarildo, e ndërtuam bashkë shtëpinë por sot vdiqe duke mbledhur bukë për fëmijët
Avokati Adriatik Lapaj ka publikuar një foto me Amarildo Basin, 25-vjeçarin i cili vdiq mesditën e sotme teksa priste ambulancën, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.
Në një postim në Facebook, Lapaj shkruan se e ka njohur Basin në rrethana të trishta pasi bashkë kanë ndërtuar shtëpinë për familjen e tij. Për pasojë, Lapaj kishte krijuar një miqësi me Basin dhe vdekja e tij e ka pikëlluar.
“Të Zotit jemi te ai do kthehemi. Sot paska qenë ditë e trishtë për mua! Amarildo ishte shoku im. Popo shoku im. Ishte fukara, mblidhte hekura, jetonte me dinjitet. E njoha në rrethana të trishta. Bashkë ndërtuam një banesë për familjen e tij. Nga ajo ditë Amarildo kudo më shihte në Tiranë me triçiklin e tij me të cilin mblidhte hekura ndalonte e më përqafonte. E doja Amarildon. Duart e tij ishin me kallo, por dinjitoze. Sot e zuri korenti. Vdiq duke mbledhur bukë për 2 fëmijët e tij. Më pikëlloi. Zoti e pastë pranë vetes!”- shkuan Lapaj krah fotos.