
Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan kundër ndikimit në rritje të ekstremit të djathtë të Gjermanisë, në një tubim para Portës së Brandenburgut në Berlin, dje në mbrëmje.
Protestuesit përdorën telefonat e tyre celularë për të formuar atë që organizatorët e përshkruan si një “det dritash” drejtuar kundër partisë së ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD).
Policia në kryeqytetin gjerman vlerësoi se pjesëmarrja ishte rreth 30 000 persona.
Tubimi u mbajt një muaj përpara se gjermanët të shkojnë në zgjedhjet e përgjithshme, ku AfD, e cila kundërshton emigracionin dhe është euroskeptike, pritet të arrijë një rezultat shumë të mirë.
Christoph Bautz, themeluesi i grupimit politik ”Campact” dhe një nga nismëtarët e demonstratës në Berlin, kërkoi që partitë kryesore të ruajnë forcën kundër AfD-së.
Ai i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë liderit të opozitës konservatore Friedrich Merz, i cili është kandidati kryesor në zgjedhjet e 23 shkurtit dhe është zotuar për një goditje të emigracionit nëse ai bëhet kancelar.
Bautz tha se nëse Merz bën kauzë të përbashkët me AfD-në për të nxitur masa më të ashpra emigracioni përmes parlamentit, atëherë “një kryengritje do të shpërthejë në këtë vend”.
Merz ka thënë vazhdimisht se blloku i tij CDU/CSU nuk do të formojë një qeveri me AfD-në.
Por, ai bëri bujë këtë javë kur sugjeroi se ishte i gatshëm të pranonte mbështetjen e partisë në parlament në mënyrë që të miratonte politikat e tij të emigracionit.
Të pranishëm në protestë ishin shumë familje me fëmijë./ a.jor.
