Dhuna bar*bare për guroren në Krujë, 4 persona të arrestuar. Jashar Maja: Unë do marr hakun tim
Ankesa për guroren, ka prodhuan dhunën më çnjerëzore në Borizanë të Krujës. Fisi Rraja ka dhunuar brutalisht me shkopa gome, bejsbolli e madje kanë kanosur edhe me armë në kokë kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, pasi këta të fundit u ankuan për punimet në një gurore, e cila është në pronësi të fisit Rraja.
Kjo ka sjellë dhe “hakmarrjen” e Rrajave. Jashar Maja ka marrë më pak lëndime, ndërsa kushëriri i tij Bilbil Maja ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të dëmtimeve që ka marrë në kokë.
Një ditë më parë, ata ishin në një lokal duke folur me një prej punonjësve të minave të kësaj guroreje për të kërkuar zbutje të agresivitetit të mjeteve shpërthyese, por kjo ka sjellë tension. Xhelal dhe Përparim Rraja, bashkë me disa persona të tjerë i dhunuan me shkopinj dhe tyta pistolete.
Përparim Rraja është vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja. Katër persona janë arrestuar, ndërsa janë shpallur në kërkim tre të tjerë. Në pranga ranë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.
Jashar Maja tha se ata ka bërë protesta për guroret të cilat sipas tij dëmtojnë banesat e zonës, dhe për këtë kishin takim me inxhinjerin. Ai shton edhe se është ankuar dhe ka denoncuar në polici dëmtimet që i janë bërë në banesë, por nuk është marrë asnjë masë. Për videon që tregon dhunën barbare, ai thekson se është bërë qëllimisht nga fisi Rraja për të treguar forcën në zonë, por shtoi se do të hakmerret dhe do ta zgjidhë personalisht nëse shteti nuk reagon dhe t’i kompensojë dëmin.