Dhuna, Gjonaj: Ndihmë juridike falas, hapen 8 qendra në 2019
Gjatë vitit 2019, Ministria e Drejtësisë do të ngrejë 8 qendra në gjykata apo bashki ku do të ofrohet ndihmë juridike falas për gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës në familje. Premtimi u bë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë konferencës kombëtare “Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut”, organizuar nga linja e këshillimit për gra dhe vajza në kuadër të ditëve sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave.
Duke u ndalur tek amnistia që përgatitet me rastin e festave të fundvitit, ministrja Gjonaj siguroi se do të impenjohet fort që të mos përfitojë asnjë burrë i dënuar për vepra penale seksuale apo vepra penale të dhunës në familje.
Po ashtu tre institucione, siç theksoi Gjonaj, Ministira e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme kanë ngritur një zyrë koordinimi kundër dhunës në familje, ku priten gratë viktima të dhunës në familje, adresohen dhe referohen saktë problemet dhe shqetësimet e tyre tek institucionet përgjegjëse dhe ju ofrohet këshillim ligjor.
“Ministria e Drejtësisë edhe me mbështetjen e kryeministrit po përpilojmë një akt ligjor i cili ka të bëjë me amnistinë e fundvitit ku ashtu siç unë jam zotuar në mënyrë publike por që gjen vend edhe në këtë pr/ligj, pikërisht ata persona që janë dënuar për vepra penale seksuale apo vepra penale të dhunës në familje nuk do të gjejnë vend në pr/ligjin për amnistinë. Jam e sigurt që kësaj gjeje do t’i shkoj deri në fund duke pasur edhe mbështetjen e grave deputete të cilat në asnjë rast nuk do të pranojnë që kjo kategori apo këto subjekte të dënuara për këto vepra penale të mos bëjnë pjesë në këtë amnisti”.
KOHA JONË SONDAZH

