Dhun*het kryeplaku në Klos, sherri nisi për guroren, Sali Muça: Drejtësia të marrë masa!
Një kryeplak në bashkinë e Klosit, në rrethin e Matit, është dhunuar. Sali Muça, kryetar i fshatit Ketë në njësinë administrative Xibër është rrahur nga shtetasi Besnik Muça. 70 vjeçari me plagë në kokë, këmbë, krah dhe pjesë të tjera të trupit ka përfunduar në spitalin “Xhavit Mara” Burrel dhe gjatë një nate është mbajtur nën kujdesin e mjekëve të këtij spitali.
Shkaku i ngjarjes sipas kryeplakut është se ai që kur është zgjedhur në këtë detyrë ka vendosur të jetë në mbrojtje të pyjeve, mjedisit, interesave të banorëve të fshatit malor.
“Dola nga shtëpia si çdo ditë tjetër. Befas më del përpara Besnik Muça, një person shumë problematik në fshat dhe gjithë zonën. Ka dëmtuar rëndë pyjet e larta për interesat private. Kohët e fundit po dëmton edhe mjedisin, duke gërmuar për gurë në malin mbi fshat. Dëmtimet në fondin pyjor dhe mjedis janë të mëdha. Megjithëse institucionet shtetërore janë në dijeni të masakrës nga ky individ nuk kanë ndërhyrë për ta ndalur”, sqaroi kryeplaku i fshatit Ketë.
70 vjeçari i zënë ngushtë nuk ka pasur asnjë mundësi të mbrohet apo t’i shmanget dhunës së agresorit. Ai ka zbritur me vështirësi në policinë lokale dhe ka bërë denoncim për ngjarjen e pazakontë. Muça tha sot se organet ligjzbatuese duhet të reagojnë shpejt sepse kjo ngjarje mund të agravojë dhe në konflikt mund të përfshihen dhe dy familjet, pasi ngjarja konsiderohet shumë e rëndë.
KOHA JONË SONDAZH

