Dhunimi i banorëve te ”5 Maji”, PD: Hetim për ata që e urdhëruan dhe ushtruan

Partia Demokratike do të kërkojë hetim për këdo që ka urdhëruar dhe ushtruar dhunë mbi banorët e lagjes “5 Maji”. Nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj, thotë se gazi dhe burgu për njerëzit që mbrojnë pronën e tyre nga grabitja e qeverisë janë akte antidemokratike, antikushtetuese dhe jonjerëzore nga Policia e Shtetit.

“Banorët e lagjes “5 Maji” janë në të drejtën e tyre për të mos iu bindur një akti të qeverisë, që u shkatërron pronën pa një shkëmbim të drejtë të saj. Refuzimi i qeverisë dhe i bashkisë për të respektuar të drejtat themelore të njeriut qëndron në bazë të dhunës policore të ushtruar sot ndaj këtyre banorëve.

Partia Demokratike dënon sjelljen barbare të Policisë së Shtetit dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të çdo banori të ndaluar. Laureta Nikolli, Gjin Nikolli, Mirash Marku Ndue Marku, Agim Marku, Bekim Cerri nuk kanë bërë asnjë krim! Ata kanë protestuar për shtëpinë e tyre, për të drejtën e fëmijëve të tyre për të patur një çati mbi kokë.

Është kundër çdo norme morale dhe humane të dhunohen dhe të mbahen prapa hekurave njerëz të ndershëm, mes të cilëve zonja të nderuara, të nxjerra me dhunë nga shtëpitë dhe pa u siguruar më parë një strehë për familjet.

PD do të kërkojë hetim të posaçëm për këdo që ka urdhëruar dhe ushtruar dhunën çnjerëzore sot mbi banorët tek “5 maji”. Metodat e shtetit policor të Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë të papranueshme, prandaj zëri ynë do të bashkohet në çdo kohë me zërin e çdo qytetari që kërkon drejtësi”.

SHKARKO APP