Dhunimi i mjekes tek Infektivi, MSH: Autorët të çohen para drejtësisë

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas dhunimit të një mjekeje në spitalin e Infektivit. MSH ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj mjekëve dhe infermierëve në këtë shërbim, që sipas asaj që thuhet në njoftim, kanë qenë duke i dhënë ndihmë mjekësore një pacienti në gjendje të rëndë. Nga ministria shprehen se çdo akt dhune ndaj personelit shëndetësor konsiderohet i patolerueshëm. Autoriteteve përkatëse u është bërë thirrje që të çojnë para drejtësisë autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve dhe infermierëve në detyrë.

”Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv, të cilët kanë qenë në krye të detyrës, duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë, teksa janë goditur dhe dhunuar nga familjarët e pacientit.

MSHMS e konsideron të patolerueshëm çdo akt dhune ndaj personelit shëndetësor dhe inkurajon organet e drejtësisë të çojnë deri në fund zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke çuar para drejtësisë autorin/autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve dhe infermierëve në detyrë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është garantuar dhe do të vijojë të garantohet për çdo qytetar nga personeli shëndetësor i kualifikuar. MSHMS mbështet stafin mjekësor që shërben çdo ditë me përkushtim e profesionalizëm për pacientët dhe dekurajon çdokënd që nxit gjuhën e urrejtjes ndaj mjekëve dhe infermierëve”,-thuhet në reagimin për mediat.

SHKARKO APP