Dhunohet nga disa persona oficeri i Policisë në Sarandë
Një oficer policie është dhunuar mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Sarandës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të qytetit, ku M. Velço, me detyrë oficer krimesh pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, është dhunuar nga disa persona.
Velço ka qenë duke udhëtuar me motor, kur është fyer e më pas kanosur nga një grup personash. Më pas ai ka zbritur nga motori dhe është konfliktuar fizikisht me ta. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por paraprakisht ka të dhëna se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të organizuar.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë nisur një aksion në gjithë qytetin e Sarandës deri në orët e para të mëngjesit. Janë kryer kontrolle banesash, lokalesh dhe mjedisesh publike dhe janë shoqëruar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje. Deri tani nuk ka informacion lidhur me kapjen e autorëve të dyshuar. Po punohet për zbardhjen e rastit.
KOHA JONË SONDAZH

