Dhunoi ish-banorin e “Big Brother VIP Kosova”, Jozefin Marku lihet në arrest shtëpie
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku, i cili u ndalua pak ditë më parë pas përfshirjes në dhunën ndaj ish-konkurrentit të Big Brother VIP Kosova, Eduart Kuçi.
Marku u arrestua më 5 shtator, pas një konflikti të ndodhur disa ditë më herët në aksin Tiranë-Durrës. Sipas hetimeve, këngëtari, së bashku me disa persona të tjerë, dyshohet se ka ndaluar automjetin me të cilin udhëtonte Kuçi dhe më pas e ka nxjerrë me forcë nga makina.
Pamjet e ngjarjes kanë qarkulluar prej disa ditësh në rrjetet sociale. Në video shfaqet Marku, së bashku me persona të tjerë, duke i bërë shenjë Kuçit të ndalojë, ndërsa dyshohet se kanë përdorur edhe një tabelë policie. Pasi ish-banori i BBVIP Kosova ndalon automjetin e tij, një McLaren, ai nxirret nga makina dhe dhunohet nga grupi. Ngjarja është filmuar nga autorët.
Pas publikimit të pamjeve, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ka ndodhur konflikti. Nga verifikimet e deritanishme, autoritetet kanë përcaktuar se videoja është regjistruar në Tiranë, në zonën e mbikalimit të Rinasit.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive për secilin prej personave të përfshirë.
KOHA JONË SONDAZH

