Diaspora shqiptare, Rama: Do shtojmë mësuesit e gjuhës shqipe
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të rrisë numrin e mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë dhe do të vijojë të mbështesë financiarisht këtë nismë përmes buxhetit të shtetit. Ai e ka cilësuar këtë angazhim si një punë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar jashtë vendit.
Në podcastin “Flasim”, i ftuar ishte Drita Gjongecaj, mësuese e gjuhës shqipe në Nju Jork, e cila foli për përvojën e saj në mësimdhënie dhe për sfidat e ruajtjes së gjuhës te fëmijët shqiptarë në SHBA. Rama i përshkroi mësueset e gjuhës shqipe në diasporë si “heroinat e heshtura të shqiptarisë”, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Ai theksoi se programi “Mësues për Shqipërinë” do të zgjerohet gradualisht, duke përfshirë edhe iniciativa të reja si “Mësues për Greqinë” dhe “Mësues për Italinë”, me synim forcimin e mësimit të shqipes në komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Nga ana e saj, Gjongecaj ndau përvojën e hapjes së një klase dygjuhëshe shqip-anglisht në Bronks, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për integrimin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor amerikan. Ajo theksoi se klasa nuk kufizohet vetëm në mësimin e gjuhës, por përfshin edhe lëndë të tjera, duke e bërë procesin më gjithëpërfshirës dhe funksional.
Sipas saj, interesi i prindërve shqiptarë në SHBA për këto programe është më i lartë se sa pritej, çka tregon nevojën për zgjerim të mëtejshëm të tyre. Ajo sugjeroi gjithashtu që shteti shqiptar mund të ndihmojë me materiale mësimore shtesë për këto klasa.
Në përfundim, Rama u shpreh se do të shqyrtojë mundësinë për të organizuar një takim mes mësuesve shqiptarë në Nju Jork dhe kryetarit të ri të bashkisë së qytetit, si një mënyrë për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale për arsimin shqip në diasporë
KOHA JONË SONDAZH

