Diaspora si ”varka e Noes”, kontribut mbi 30-vjeçar në ekonomi me remitanca e investime
Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 1,7 milionë qytetarë. Megjithatë, çdo e keqe e ka edhe një pozitive nga pas. Gjin Gjoka, nga Dhoma e Biznesit të Diasporës, u shpreh për A2 CNN: “Shumë emigrantë që nga Dukagjini, Shala, Shoshi, Malësia e madhe etj., që janë mbi 230 të tillë, që kanë jetuar e punuar jashtë për mbi 10-12 vite, janë kthyer e kanë investuar, kryesisht në agro-turizëm”.
Përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga diaspora shtrihen edhe në drejtime të tjera, te kapitali, dija, eksperienca, investimet e huaja, turizmi dhe mbi të gjitha te paratë që sjellin për familjet në vendlindje. Për të kuptuar madhësinë e remitancave, mjafton të kujtojmë se vetëm në gjysmën e parë të vitit ato arritën në 444 milionë euro. Adrian Civici, ekspert për ekonominë, thekson: “Duke pasur një diasporë, apo një emigracion mbi 30-vjeçare dhe më shumë, natyrisht nuk është më ai brezi i parë që vetëm dërgonte para dhe ishte në luftë për t’u integruar në vendet pritëse, por tashmë një pjesë e rëndësishme e remitancave po vijnë në formën e investimeve dhe bashkëpunimeve në Shqipëri”.
Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e investimeve nga shqiptarë të diasporës, veçanërisht në pesë vitet e fundit, kanë shkuar në projekte në sektorë si agroturizmi, turizmi, bujqësia dhe shërbimet financiare. Megjithatë, lidhja me origjinën, veçanërisht në drejtim të ekonomisë, vijon të pengohet kryesisht nga mungesa e të dhënave, mosnjohja e kapitalit të origjinës dhe mospasja e një strategjie funksionale për integrimin e diasporës me jetën socio-ekonomike të Shqipërisë.
Në vazhdën e lehtësimeve që duhen ofruar, për një ndër themeluesit e Dhomës Ekonomike të Diasporës, është edhe “amnistia fiskale”. “Jemi duke lobuar ende. Kemi marrë zotimin e kryeministrit Edi Rama. Mendoj se është një detyrim që ia kemi emigrantëve shqiptarë”, tha Gjoka. Sipas të dhënave të INSTAT, që pranohen edhe nga qeveria, arsyet kryesore që pengojnë rikthimin e emigrantëve janë mungesa e besimit tek institucionet shtetërore dhe korrupsioni e krimi i organizuar. Diaspora, ashtu si edhe në samitin e fundit të saj që u mbajt në Tiranë, po cilësohet si “Arka e Noes” për ekonominë shqiptare, e cila po kalon ditë të mira, por në horizont nuk mungojnë rreziqet e shtuara.