Didi jep udhëzime në Kakavijë, emigrantët të mos presin në radhë

Rikthimi masiv i emigrantëve, si çdo herë tjetër në raste festash, shoqërohet me radhë të gjata në pikat doganore të vendit tonë. Kryesisht kjo ndodh me emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Situata më e vështirë paraqitet në Kakavijë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka inspektuar sot doganën e Kakavijës, e cila ka ofruar sërish radhë të gjata, të krijuara nga kthimi i emigrantëve në atdhe. Në inspektimin e sotëm me Didin ishte edhe drejtori i Policisë Kufitare, Genc Merepeza, ndërsa të dy kanë dhënë instruksione për të marrë masa që kjo situatë të ndryshojë, të përballohet në mënyrën më të mirë fluksi i emigrantëve. – “Duhet të ofrohet shërbim i kulturuar nga Policia Kufitare. Që të eliminohen radhët e gjata duhet të shtohen sportelet nga ana e doganës. Të forcojmë gjithashtu bashkëpunimin me palën greke”, thekson ai. Megjithatë, pala shqiptare pretendon se radhët krijohen ngaqë pala greke punon vetëm me një sportel nga tre që duhet të funksionojnë normalisht, edhe në kohën kur ka fluksh të madh emigrantësh.  

SHKARKO APP