Digjet në ashensor 30-vjeçarja, mesazhi prekës: Do t’i bëhem motër djalit tënd…
Redjon Shtylla
Nuk mundi t’u shpëtonte flakëve që bllokuan ashensorin ku brenda ishte vetëm 30 vjeçarja, Drilona Tifekciu. Vdekja në mënyrë tragjike e 30-vjeçares, ka shokuar familjarët por dhe banorët e zonës. Dhimbja e madhe që la ikja e parakohshme dhe tragjike e Drilonës, shtohet edhe më shumë pasi ajo la mbrapa djalin e saj të vogël, për të cilin miqtë e afërt të saj i premtojnë se do jenë pranë fëmijës të saj.
Njëra nga mikeshat e saja, ka ndarë dhimbjen, përmes një statusi në facebook, në të cilin shkruan se:
“Dhimbja bëhet më e thellë e zemra bëhet më e dobët. Ngrej sytë drejt qiellit për me t’pa po nuk më lejnë lotët. Nuk e di ku duhet ta gjej forcën sot. Të kërkoj ty me sy në çdo njeri që futet dhe del nga pragu i derës po nuk të gjej. Kisha menduar fundin e botës por jo të të humbja ty. Më dhemb shpirti o Lona. Ti u ngjite në qiell për tu bër engjëll, engjëlli mbrojtës i Rajanit. Të premtoj që do kujdesem për atë do i bëhem motër dhe do më ketë pranë çdo moment. Do të të dua gjithë jetën. U prefsh ne paqe, Lona jonë!”, shkruan Krista, një nga mikeshat e ngushta të 30-vjeçares.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e djeshme, rreth orës 10:15 minuta, ku zjarri i rënë në ashensorin e një pallati në zonën e Freskut në Tiranë, dogji të gjallë Drilonen. Mësohet se 30 vjecarja kishte hipur në ashensor pasi kishte blerë disa ushqime por që bllokua brenda tij nga flakët që e përfshinë atë në pak sekonda.
Shkak mund të ketë qenë një shkarkesë elektrike, ajo, e cila shkaktoi zjarr, i cili u ndihmua nga vajrat lubrifikantë të ashensorit, që i ndezën flakët menjëherë, pa i dhënë mundësi viktimës të përpiqej të dilte prej andej, por pritet ekspertiza për të zbuluar shkakun kryesor.
Ashensori sipas informacioneve, kishte një depozitë të madhe vaji, i cili ra menjëherë në kontakt me zjarrin. Tymrat e shumtë të dalë nga ky zjarr bllokuan pothuaj të gjitha shkallët e pallatit 8-katësh, që vuri në panik të gjithë banorët që ndodheshin në apartamente. Zjarrfikëset e para që mbërritën në vendin e ngjarjes ishin të stacionit që ndodhet në Kinostudio dhe pasi mundën të hapnin ashensorin, e gjetën të karbonizuar trupin e 30-vjeçares. Dy zjarrfikëse të tjera erdhën në ndihmë të kolegëve për të bërë të mundur nxjerrjen e të gjithë banorëve të pallatit nga apartamentet e tyre. Zjarri u vu shpejt nën kontroll, pa vënë në rrezik jetën e asnjë banori tjetër të pallatit.
Ndërkohë që, grupi hetimor nisi menjëherë hetimin në lidhje me shkaqet e rënies së këtij zjarri dhe me gjendjen teknike të ashensorit. Ekspertiza tha se përfundimi i plotë i këtyre hetimeve paraprake do të përcaktojë nëse kishte luhatje të tensionit të lartë apo shkarkesa erdhi si pasojë e gjendjes jo të mirë teknike të ashensorit.
Banorët
Banorë të pallatit me të pikasur zjarrin kanë dashur ta hapin me forcë derën e ashensorit, por ka qenë e pamundur. Në momentet kur ka ardhur policia, ata kanë parë trupin e shkrumbuar të viktimës. Edhe para një viti, banorët që dje u rrezikuan nga asfiksia raportojnë të kenë pasur sërish probleme me ashensorin.

