Dikur iknin nga mali, tani shqiptarët futen në atdhe klandestin po nga mali
Këto pamje u përkasin dy ditëve më parë, kur në Kakavijë fëmijë dhe të moshuar qëndruan për 18 orë në mes të dy doganave pa iu lejuar të hyjnë në tokën mëmë.
Të tjerë bashkëatdhetarë kanë vazhduar të kërkojnë të kthehen në familje edhe pse trau për ta është i mbyllur.
Një pjesë e madhe ka zgjedhur të mos presë, por futen në mënyrë klandestinë në atdheun e tyre pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ti bllokuar në kufi si masë ekstreme kundër përhapjes së koronavirusit.
Gjashte emigrantë janë kapur nga forcat e FRONTEX në Kakavijë pasi janë futur përmes kufirit të gjelbërt.
Burimet thonë se ata janë gjobitur dhe më pas janë lënë të lirë me detyrimin për tu vetëkarantinuar në shtëpi për 14 ditët e ardhshme.
Ndërkohë në tokën neutrale mes Shqipërisë e Greqisë në Kakavijë mësohet se në mesditë kanë mbetur edhe 7 shtetas shqiptare.
Disa orë më parë rreth 20 të tjerë me dy shtetësi janë kthyer drejt Greqisë, pasi qëndruan aty për disa orë në pritje që tu ngrinin traun për tu kthyer në shtëpi.
Trau i doganës u ngrit vetëm per personat me leje të posaçme, dhe për këtë grua të moshuar dhe vajzën e saj të sëmurë.
“Nuk dija gjë, jam plakë e vjetër. Isha me vajzën për ta vizituar në Greqi”.
Këto pamje të siguruara nga Ora News ndërkohë tregojnë shqiptarët të bllokuar në tokën neutrale në Kapshticë pasi janë lejuar të kalojnë në doganën greke.
Këta qytetarë thonë se kanë mbetur aty pengje të urdhërit që i ndalon të futen në vendin tyre, ndërsa rrezikojnë të ndërshkohen me gjoba në anën tjetër të kufirit.
Burimet thanë se në një takim të mbajtur në dogana pala shqiptare i ka kërkuar homologëve grekë të mos lejojnë hyrjen e shqiptarëve, por kjo kërkesë është refuzuar. /Ora News