Dinamika e vrasjes së Billës, motra tregon telefonatën e fundit
Të tjera detaje janë zbuluar nga ekzekutimi i Hektor Billës. Mësohet se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv dhe kapele në momentin që ka pritur viktimën e tij që hipte në makinë, ku sapo është nisur e ka qëlluar me breshëri mbi 15 plumba. Viktima ka qenë i vetëm në makinë, pa armë me vete dhe mundësi reagimi.
Nga vendi ku ndodhi vrasja te Komuna e Parisit, autori është larguar duke dalë në rrugën kryesore në unazën e re, që ndodhet 100 metra nga vendi i krimit. Largimi ka qenë i lehtë, pasi në atë pjesë nuk ka as postbllok. Pamjet e kamerave të sigurisë nuk japin një imazh të saktë të autorit duke vështirësuar punën e grupit hetimor.
Personi i fundit me të cilën foli Billa, ishte motra e tij, që punon te qendra Kristal dhe që po shkonte ta takonte. Në dëshminë e saj në polici, motra është shprehur se i vëllai e telefonoi dhe do ta takonte por takimi nuk u realizua kurrë. Policia nisur hetimet por fokusi është i vështirë, pasi e kaluara kriminale e viktimës është e ngjeshur, nga vrasje, grabitje, trafik droge, etj.