Diplomati Mal Berisha vlerësohet nga kongresmeni Engel
Dy letra falënderimi, një nga Kongresmeni Amerikan Eliot Engel dhe tjetra nga aktivisti i çështjes shqiptare si dhe një nga udhëheqësit kryesor të Lobit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harry Bajraktari, i kanë mbërritur këtë mes shtatori diplomatit shqiptar, Mal Berisha. Ata i shprehin mirënjohjen z. Mal Berisha për kontributin e tij të vyer në realizimin e vizitës së tyre në suksesshme në qytetin e Lezhës.
Këtë fakt Mal Berisha e bën të ditur në faqen e tij zyrtare të Facebook, por edhe në uebsitin e tij personal. Pjesë e vizitës dy ditore në Shqipëri (31 gusht-2 shtator) të Engel dhe Bajraktarit ishte edhe qyteti i Lezhës i cili i akordoi titujt “Qytetar Nderi” dhe “Mirënjohje e Qytetit” respektivisht për Engel dhe Bajraktarin. Me sa duket, kjo vizitë e tyre në Lezhë ishte për ta një nga ngjarjet më të spikatura të vizitës në Shqipëri. “Pata një vizitë të frytshme dhe të kënaqshme dhe i vlerësova përpjekjet tuaja për organizimin e aktivitetit në qytetin e Lezhës. Do të ruaj si thesar titullin që mora dhe kujtimet e dashura të kësaj dite të veçantë. Faleminderit që e bëtë të mundur”,- thotë Engel në letrën e tij të falënderimit drejtuar ish- ambasadorit shqiptar në Londër.
Ndërsa Z. Bajraktari, pasi e cilëson aktivitetin në qytetin e Lezhës si ngjarjen më të paharruar të vizitës së tij në Shqipëri, nënvizon në letrën e tij të falënderimit se “Kongresmeni Engel dhe unë jemi shumë mirënjohës dhe të nderuar nga gjesti i madh i Kryebashkiakut të Lezhës dhe të Lezhjanëve ndaj nesh. E di që ka shumë punë për tu bërë por Ju falënderoj Juve për çdo gjë që ju bëni për Kombin Shqiptar. Zoti Ju bekoftë Ju dhe familjen Tuaj.”
Mbasi shpreh falënderimet e tija për të dy personalitetet dhe i konsideron letrat e marra “si dy gurë të çmuar në memorien time të asaj ditë të mrekullueshme,“ diplomati nënvizon ndihmën e madhe që dhanë autoritetet e Lezhës në arritjen e këtij suksesi të përbashkët.
“Kryetari i Bashkisë, Këshilli Bashkiak dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak u treguan shumë bujar jo vetëm me titujt që iu akorduan mysafirëve të nderuar por edhe me simbolikën që mbarti kjo veprimtari e organizuar ne mjedisin e Memorialit të Heroit tonë Kombëtar, Skëndërbeg, në Lezhë. Fjalët e ndjera aq thellë nga të dy palët, veprimtaria kulturore artistike, panorama historike e qytetit e dhënë mjeshtërisht në gjuhën angleze nga drejtorja e bibliotekës së qytetit, balada e Gjergj Fishtës interpretuar nga sopranoja e qytetit dhe dekori historik e bënë veprimtarinë edhe më të bukur,” shkruan Z. Mal Berisha, duke shtuar “Falënderime për Kryetarin e Bashkisë, z Fran Frrokaj, dhe nën/kryetaren, zonjën Alfrida Dedgjonaj si dhe artistët lezhjanë që e zbukuruan aq shumë atë ditë dhe nderuan jo vetëm qytetin e tyre të bukur por tërë Shqipërinë.”
Gjatë ceremonisë së nderimit të këtyre dy personaliteteve, ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA në Shqipëri Donald Lu, i cili falënderoi qytetin e Lezhës për nderimin që iu bë zotit Engel, duke thënë se ai ka qenë një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare në New York.