Diplomohen akademistët e Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm
Në mjediset e auditorit të Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e diplomimit të akademistëve të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKSHP) për vitin 2016 – 2017.
KKSHP përbën një nga hapat kryesor të kursit të arsimimit profesional ushtarak të oficerit të FA, i cili ka ndikim të rëndësishëm për vijimësinë e karrierës. Ky kurs plotëson njohuritë në fushën e planëzimit dhe drejtimit të operacioneve në të gjithë spektrin e nivelit taktik si dhe i jep njohuri dhe shtron bazat për planëzimin dhe drejtimin në një mjedis operacional kompleks. Ky kurs në sistemin e karrierës përfaqëson kursin e nënkolonelit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantë forcash, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në vendin tonë z. Sylë Ukshini si dhe të ftuar.
Zëvendësministri Koçi në fjalën e tij u shpreh se ky kurs përbën një moment të rëndësishëm në jetën profesionale të ushtarakut të Forcave të Armatosura. “Pas një viti studimi “laboratorik” të tyre keni mundësinë, por edhe përgjegjësinë për t’u bërë pjesë e përpjekjes së përbashkët jo vetëm në nivel të Forcës së Armatosur por shumë më shumë se kaq – e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, – tha ai duke i nxitur ushtarakët e sapodiplomuar të jenë edhe më kërkues dhe ambiciozë. “Misioni juaj nuk është dhe nuk duhet të jetë për asnjë moment të bëheni pjesë e status quo-së, përkundrazi, në rastin më të mirë të udhëhiqni ndryshimin e në rastin më të keq të bëheni pjesë e tij, por kurrsesi të bëheni pengesë.”
KKSHP për vitin akademik 2016 – 2017 e përfunduan 24 ushtarakë me gradën major, 2 prej të cilëve pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në fund të ceremonisë, zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi dhe ushtarakët e tjerë të lartë të FA, i dorëzuan diplomat kursantëve të cilët përfunduan me sukses këtë vit akademik

