Dita e Drejtësisë/ Hazizaj: Sistemi i drejtësisë i vonuar, nuk jep asnjë zgjidhje për qytetarët
Avokati Sokol Hazizaj, në ditën ndërkombëtare të drejtësisë, shprehet se në vendin tonë sistemi i drejtësisë është i vonuar dhe sipas tij nuk jep asnjë shërbim për qytetarët.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Hazizaj, shprehet se ende jemi në standartin e mosbesimit ndaj sistemit.
“Vijmë pas një kalvari të tërë i procesuar nga reforma në drejtësi, dhe gjithë situata erdhi për shkak të reflektimit dhe opinionit të qytetarëve. Sot qytetarët janë në mungesë të tepruar të shërbimit nga ana e gjykatave në Shqipëri. Ne jemi 100 vjet kusur që jemi mbrapa një sistemi shërbimi të plotë ndaj qytetarit. Jemi në një drejtësi të vonuar, nuk jep asnjë lloj zgjidhje, nuk ekziston një shërbimi ndaj qytetarëve.
Shpejtësia fillestare nuk duhet të nisë nga 2016, po duhet të nisë nga historiku shqiptar i krijimit të së drejtës. Nuk e meritojmë këtë lloj shërbimi. Mjafton që të kthehemi dy ose tre vjet më parë do shikoni se më datën 10 Maj e konsiderojnë si moment reflektimi por ajo që konstatohet në tërësinë e viteve mendoj se ne jemi në të njëjtin standart, në standartin e mosebesimit ndaj sistemit.”
Më tej ai thekson se një nga arsyet se pse Shqipëria nuk pranohet në Bashkimin Evropian është se në vendin tonë vonohet përpunimi i akteve ligjore teksa shton se mungon sistemi i së drejtës.
“Ndryshimet e fundit ligjore, lënë shumë për të dëshiruar. Ata kanë qenë të pakonsultuar me subjektet e interesuara. Sot flasim për drejtësinë, ata që nuk kanë qenë asnjëherë në arenën e Gjykatës. Ne i referohemi disa njerëzve idenë që nuk preken asnjëherë në Gjykatë. Prandaj nuk pranohemi në BE, sepse jemi shumë tejkanjoz në përpunimin e akteve ligjore, duke filluar që nga magjistratura. Sot mungon shërbimi i së drejtës.”