Dita e Drejtësisë, kryetarja e KLGJ: Duhet të jemi modeli i drejtësisë që duam, sfidat me ndihmën e partnerëve bëhen më të thjeshta
Dhjetë maji shënon Ditën e Drejtësisë, e gjatë ceremonisë së kësaj dite, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, renditi të gjitha vështirësitë që ka hasur sistemi, në këtë vit pandemik.
Ajo tha se dita e sotme është e shënuar për qytetarët, e shtoi se trupa gjykuese në tërësi, duhet të jetë modeli i drejtësisë që duam. Ajo gjithashtu falënderoi gjyqtarët e prokurorët, që kanë zhvilluar seancat përballë sfidave të ofruara nga virusi, e sakaq, tha se sfidat janë ndarë me partnerë, duke u bërë më të thjeshta për t’u përballuar.
“Doja t’iu uroj gëzuar ditën kombëtare të drejtësisë. Është ditë e shënuar për të gjithë qytetarët. Duhet të jemi model i drejtësisë që duam. Duhet ta bëjmë vetë përpara se t’ia kërkojmë të tjerëve. 2021 ishte një vit që na vendosi në sfidë, përfshirë edhe atë të drejtësisë.
Dua të falenderoj gjyqtarët, familjarët, që e mbajtën dyert e drejtës të hapura. Jemi përballur me shumë sfida, kushteve bashkëkohore, cilësisë që kërkohet në gjykata. Sfida e madhe mbetet dita e drejtësisë. Dita e drejtësisë na gjeti me më pak gjyqtarë, por na gjen me shumë partnerë që na e kanë bërë përgjegjësitë më të lehta, duke i ndarë së bashku me ne. Faleminderit dhe gëzuar të gjithëve”, u shpreh Llagani.